Morales mbërrin në Meksikë, thotë se do të vazhdojë të merret me politikë “sa të jem gjallë”

Aeroplani që po barte presidentin e dorëhequr bolivian, Evo Morales, ka ateruar të martën rreth orës 18:00 në Meksikë, ku atij i është dhënë azili pasi u detyrua të dorëhiqej si pasojë e protestave në Bolivi për shkak të zgjedhjeve të diskutueshme, kanë treguar pamjet televizive.

Ministria e Jashtme e Meksikës ka negociuar me disa qeveri jug-amerikane për të siguruar kalimin e sigurt të Moralesit nga Bolivia në Meksikë, ka thënë ministri i Jashtëm meksikan, Marcelo Ebrard, në një konferencë për media të martën, raporton Reuters.

Morales tha se Meksika ia ka shpëtuar jetën, ndërsa ka potencuar se nuk do të tërhiqet nga jeta politike përderisa të jetë gjallë, transmeton gazeta KOHA. Ai tha po ashtu se shtëpia e tij në Bolivi i është shkatërruar, sikurse edhe ajo e motrës së tij.