Vincenzo Montella, pas fitores 4-1 që Milani i tij arriti ndaj Chievo dy ditë më parë, beson se kuqezinjtë mund të përsëritin një tjetër rezultat pozitiv edhe nesër ndaj Juventusit, në takimin që çel javën e 11-të të Serisë A. “Unë mendoj edhe më shumë, jo vetëm të fitorja, pasi kjo mund të jetë ndeshja që na rikthen kompetitivë, rikthen Milanin e fillim-sezonit. Kemi përballë ekipin më të madh italian të viteve të fundit, ndërsa ne duam të vbëhemi si ata, ndaj gjithçka mund të ndodhë. Është një ndeshje që na stimulon e motivon. Unë jam krenar që drejtoj Milanin dhe në përballje të tilla lojtarët janë gjithnjë të karikuar. Kjo është një arsye më shumë që dëshiroj ta mposht Juven”, u shpreh Montella.
“Fitorja ndaj Chievo është e rëndësishme, na jep më shumë besim dhe është meritë e skuadrës, e cila asnjëherë nuk ka hequr dorë. Mua më intereson më shumë se çfarë mendon skuadra e klubi dhe jo ato që thonë mediat”, thotë më tej trajneri Vincenzo Montella, që do të luajë në “San Siro” ndeshjen ndaj bardhezinjve, në një stadium plot, ndaj ai nuk dëshiron të zhgënjejë tifozët. “Më vjen keq që nuk do të jetë Bonucci ndaj ish-skuadrës së tij, por kemi edhe lojtarë të tjerë. Shumë lojtarë po nisin gradualisht të ndihen mirë në pozicionet e tyre. ndaj Juves të gjithë duan të luajnë mirë dhe fitojnë, ndaj besoj se Milani nuk do të zhgënjejë”, u shpreh trajneri kuqezi.