Dallimi mes ekspertizës dhe analizës, sipas palës mbrojtëse, është se ekspertiza ka peshë më të madhe, peshë të provës, respektivisht analiza nuk mund të ketë vlerë të provës
Omer XHAFERI
Shkup, 16 tetor – Ekspertiza e dheut nga Liqeni i Smilkovës dhe ai nga vetura “Opel Omega”, ishte pika kryesore ku u ndeshën pala mbrojtëse dhe prokuroria në rastin “Monstra”. Avokatët e të akuzuarve në këtë rast janë të mendimit se ekspertiza është e falsifikuar, përderisa prokurorët vlerësojnë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Personi ekspert Vesna Antiq, në cilësinë e dëshmitares në seancën e fundit për rastin “Monstra”, tha se ajo ka kryer analizë të shembujve të dheut në fjalë, por jo edhe ekspertizë. Megjithatë, ajo theksoi se analiza ka konfirmuar se dheu i analizuar përputhet njëri me tjetrin.
“Asnjë ekspertizë të dheut nuk kam bërë. Dheu nga Liqeni i Smilkovës dhe ai nga vetura është i analizuar, por ndaj tij nuk është bërë ekspertizë. Nuk kam pasur detyrë nga përgjegjësi të bëjë një gjë të tillë. Ekziston dallimi mes analizës dhe ekspertizës. Kjo e fundit është diçka më e madhe se analiza”, tha dëshmitarja, njëherësh eksperte e policisë Vesna Antiq. Sipas palës mbrojtëse të të akuzuarve, rrëfimi i fundit e kësaj dëshmitare paraqet një mbrojtje për deklaratën e mëparshme të personit ekspert Snezhana Nikollovska, e cila në seancën gjyqësore pranoi se në ekspertizën e kryer nga ana e saj mungojnë disa elemente.
“Ky person ekspert (Vesna Antiq) nuk ka kryer ekspertizë, por vetëm analizë për të cilën nuk ka asnjë procesverbal, asnjë raport. Ajo tha se analiza është e bërë në bazë të dy shembujve dhe ata janë skenuar, por me 20 prill të vitit 2012, dhe jo me 14 siç fliste gjatë gjithë kohës. Vetë data tregon se analiza është e bërë pas ekspertizës së personit ekspert Snezhana Nikollovska. Kjo tregon se bëhet fjalë edhe për një falsifikat. Ne jemi të detyruar në këtë rast të parashtrojmë dy padi penale, dhe jo vetëm një – siç e paralajmëruam”, tha avokati Naser Raufi. Dallimi mes ekspertizës dhe analizës, sipas palës mbrojtëse, është se ekspertiza ka peshë më të madhe, peshë të provës, respektivisht analiza nuk mund të ketë vlerë të provës. Ndryshe, në seancën e fundit para Trupit gjykues në rastin “Monstra”, foli edhe një dëshmitar nga Tetova, rrëfimi i të cilit buroi nga transkriptat e “bombave”, ku ai dëgjohej se si në prill të vitit 2012 bisedon me shok të tij rreth kësaj ngjarjeje, duke u interesuar se çfarë ka ndodhur. Mirëpo, para gjykatësit Ognen Stavrev, ai theksoi se biseda është zhvilluar mes tij dhe një bashkpartiaku dhe se nuk ka asnjë njohuri më tepër për këtë ngjarje.
Rigjykimi i këtij procesi gjyqësor, sipas paralajmërimeve të prokurorëve, është drejtë fundit dhe se në seancat e radhës të cilët vijojnë, pritet të jepen fjalët përfundimtare. Gjatë ripërsëritjes së këtij gjykimi para Trupit gjykues, rrëfimet e tyre i dhanë shumë personalitete publike, mes tyre edhe funksionarë dhe ish-funksionarë të lartë të shtetit. Ndër deklaratat më të bujshme të cilat u dhanë në këtë gjykim ishte rrëfime i ish-policit Zoran Trajkovski, i cili edhe publikisht e pranoi se në janar-shkurt të vitit 2012, i kishte paralajmëruar eprorët e tij se ka informacione se po përgatitet sulmi i një patrulle policore apo stacioni policor. Megjithatë, ai shtoi se të njëjtat nuk ishin përfillur. (koha.mk)