Shfuqizimin e aktakuzës për rastin “Monstra” dhe vërtetimin e faktit se shqiptarët e akuzuar në këtë lëndë nuk e kanë kryer vrasjen makabre në Liqenin e Smlikovës, e presin edhe familjarët e Hakiut, Samiut dhe Agimit. Paralajmërimet për reformimin e sistemit gjyqësor në vend ato i lidhin me procesin gjyqësor për “Monstrën”, me çka shprehen se për disa seanca, kjo katrahurë kundër tyre dhe viktimave tjera duhet të ketë epilog
Omer XHAFERI
Shkup, 1 maj – Rigjykimi i rastit “Monstra” duhet të përfundojë brenda këtij viti, pasi akuzat për “terrorizëm” kundër gjashtë shqiptarëve të akuzuar janë të paqëndrueshme. Në përvjetorin e gjashtë të aksionit policor “Monstra”, pala mbrojtëse e të akuzuarve është shprehur optimiste se rifillimi i këtij procesi gjyqësor do të përmbyllet për kohë të shkurtër, shkruan gazeta KOHA. Mendimin se Haki e Fejzi Aziri, Agim dhe Afrim Ismailloviq, Halil Demiri e Sami Luta janë të pafajshëm, e kanë përsëritur edhe familjarët e tyre, të cilët këmbëngulin se prokuroria dhe gjykata duhet t’i liroi ato nga aktakuza për shkak se nuk kanë asnjë farë lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smilkovës.
“Tash pasi PSP e mori përsipër lëndën dhe shqyrtimin e saj, ne si avokat presim tërheqjen e aktakuzës ndaj klientëve tanë. Provat e propozuara nga Prokuroria për krim të organizuar kanë qenë të montuar dhe të njëjtat, sipas nesh, nuk ekzistojnë fare. Ata nuk kanë pasur asnjë provë materiale apo verbale. Besoj se në seancat e radhës do të vërtetohet se dëshmitari i koduar në rastin Monstra ka qenë në realitet një dëshmitar i rrejshëm, në bazë të të cilët u zhvillua edhe i gjithë procesi i mëparshëm gjyqësor. Deklaratat kontradiktore të këtij dëshmitari ne i kemi dëshmuar edhe në seancat e kaluara. Tani, pasi që PSP është përfaqësuese e aktakuzës, mendoj se më mirë do ta sqarojmë këtë dileme se i gjithë rasti është i montuar”, tha për gazetën KOHA, avokati Naser Raufi.
Shfuqizimin e aktakuzës për rastin “Monstra” dhe vërtetimin e faktit se shqiptarët e akuzuar në këtë lëndë nuk e kanë kryer vrasjen makabre në Liqenin e Smlikovës, e presin edhe familjarët e Hakiut, Samiut dhe Agimit. Paralajmërimet për reformimin e sistemit gjyqësor në vend ato i lidhin me procesin gjyqësor për “Monstrën”, me çka shprehen se për disa seanca, kjo katrahurë kundër tyre dhe viktimave tjera duhet të ketë epilog.
“Mendoj se me vetë ndërhyrjen e PSP-së, tregohet qartë se ekzistojnë përgjime për këtë rast dhe të njëjtat lidhen me lëndën. Ne meqë jemi të bindur në pafajësinë e bijve tanë, presim nga PSP në afat sa më të shkurtër ta korrigjojë këtë padrejtësi dhe familjarët tanë të lirohen nga aktakuza.
Përgjatë gjashtë viteve të kaluara, ne 1 majin e kujtojmë si një datë të terrorit dhe torturës fizike e psikike që atë kohë u ushtrua ndaj neve dhe të afërmeve tanë. Kur të raportohet për këtë datë, mendoj se ngjarja e 1 maji e vitit 2012, duhet të nënvizohet me logon ‘+18’, me të vetmin qëllim që personat nën këtë moshë mos të lexojnë për brutalitetin e ushtruar ndaj nesh atë ditë”, tha Bedri Ajdari. Ndryshe, për herë të parë pas gjashtë vitesh, pjesa dërmuese e të akuzuarve në rastin “Monstra”, përvjetorin e hidhur të padrejtësisë ndaj tyre e kanë pritur në shtëpi. Përkujtimi i kësaj datë jashtë grilave të burgut, siç thonë familjarët e të akuzuarve rastin “Monstra”, ka qenë përplot emocione. Vuajtja e burgut për Haki Azirin dhe të akuzuarit tjerë, siç njoftojnë të afërmit e tyre, ka qenë tepër e rëndë, duke pasur parasysh kushtet e burgjeve dhe më së tepërmi për akuzën e “terrorizmit”, vepër kjo e cila aspak nuk ka të bëjë me ato. Megjithatë, ata theksojnë se liria është liri dhe ajo nuk ka fjalë më të cilat mund të përshkruhet.
Ndërkohë, krahas Halil Demirit dhe Afrim Ismailloviqit, të cilët nuk gjenden në Maqedoni, në burg edhe tutje, mirëpo për vepër tjetër penale – vazhdon të qëndroj Fejzi Aziri. Seanca e fundit për rastin “Monstra” u anulua për datë 16 maj për të vetmen arsye se Fejzi Aziri ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk mori pjesë këtë seancë. Për këtë arsye, nga Qendra Klinike në Shkup, ai javë më parë u transferuar në burgun e Shtipit, i cili në të ardhmen mban përgjegjësinë për transferimin e Fejzi Azirit në Gjykatën Penale të Shkupit. Të afërmit e tij thonë se gjendja shëndetësor e Azirit i ndryshon herë pas herë dhe tash mbetet ta vlerësoj drejtoria e burgut të Shtipit se a do të marrë pjesë në seancën e 16 majit ose jo. (koha.mk)