“Monstra”, shpresë për Agimin, Rexhail dhe Naserin

Omer XHAFERI

Shkup, 4 janar – Lirimi nga aktakuza i të akuzuarve për rastin “Monstra” dhe përgatitjet për rigjykimin e kësaj lënde gjyqësor, kanë ngjallur shpresa për zbardhje edhe të rasteve tjera, të cilat opinion më i gjerë i ka kategorizuar si raste të montuara politike, shkruan gazeta KOHA. Përgjatë dekadës së fundit, duke filluar nga vitit 2006 e këndej, në Maqedoni, kryesisht në vendbanimet me shumicë shqiptare, u realizuan aksione të tmerrshme policore. Përveç bastisjeve të dhunshme dhe brutale të policisë, këto aksione të cilët shpeshherë përfunduan me vrasje dhe nënçmime, më vonë rezultuan edhe me procese të montuara gjyqësore. Ndryshimi i pushtetit qendror, 11 vite më vonë dhe premtimet për reforma në sistemin e sigurisë dhe atë gjyqësore, për familjarët dhe avokatët e të dënuarve në rastin “Alfa”, “Naser Eshtrefi” dhe “Kumanova”, paraqesin një indikacion të fuqishëm se padrejtësia ndaj të afërmve dhe klientëve të tyre, së shpejti do të marrë fund.
DO TË KËRKOHET RIGJYKIM I RASTIT “ALFA”
Përfaqësuesi ligjor i Agim Islamit, i dënuar me burg të përjetshëm në rastin “Alfa”, avokati Jovan Joanidis për gazetën KOHA ka thënë se paralelisht me miratimin e Ligjit të ri për rigjykim të procese gjyqësore, ai do të inicioj procedurë për përsëritjen e këtij gjykimi. Klienti i tij, Agim Islami, së bashku me Rexhail Qerimin nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Almir Dërplanin nga Shkupi, janë të akuzuarit kryesor për sulmin ndaj njësitit policor “Alfa” në nëntor të vitit 2008, ku në hapësirat Fakultetit Matematiko-Natyror në Gazi Babë, mbeti i vrarë një polic dhe dy të tjerë u lënduan rëndë. Aksioni policor i realizuar menjëherë pas kësaj ngjarjeje rezultoi me arrestimin e shumë shqiptarëve, të cilët pas maltretimeve dhe rrahjeve të shumta, u lanë të lirë, me arsyetim se nuk kanë lidhje me ngjarjet. Nënte vite më vonë, avokati i Agim Islamit, vazhdon të këmbëngul se ndaj klientit të tij nuk ekziston asnjë dëshmi relevante se e ka kryer veprën penale për të cilën vuan dënim me burg të përjetshëm.
“Pa dallim se ekziston një aktgjykim i plotfuqishëm i Gjykatës Penale të Shkupit, vlerësoj se vendimi përfundimtar i Gjykatës Supreme, i cili u miratua pas një shqyrtimi të jashtëzakonshëm, në një seancë publike – ishte aq joprofesionale saqë nuk u arsyetua dhe nuk u morë parasysh asnjë qëndrim i palës mbrojtëse. Në këtë rast, Gjykata e Lartë as që i kishte shikuar dëshmitë. Kjo gjykatë, përveç faktit se u interesua që ta vërtetojë vendimin e shkallës së parë, mendoj se fare nuk ishte në dijeni se çfarë aktgjykimi është duke konfirmuar. Me lirimin nga aktakuza e të akuzuarve për rastin ‘Monstra’, mendoj se ka shpresa që edhe ky rast të zbardhet”, thotë për gazetën KOHA, avokati Joanidis. Mes tjerash, ai shton se policia ka siguruar deri më sot pajisje më të mira teknike, përmes të cilave do të mund të vërtetohen kryerësit e vërtet të këtij sulmi, gjegjësisht policia fillimisht kishte deklaruar se nga kamerat e sigurisë nuk mundet të shihet qartë se kush janë autorët e vërtet të sulmit mbi Alfat. Ndryshe, pas ekstradimit të Almir Dërplaninit nga Kosova, policia i kishte ballafaquar të akuzuari mes vetë, dhe në këtë rast – Dërplanin ishte deklaruar se për herë të parë është duke i parë këta persona. I pafajshëm dhe me mbi 20 dëshmitarë që konfirmojnë vendndodhjen e tij larg krimit, është edhe Rexhail Qerimi nga fshati Opajë, për të cilin të akuzuarit tjerë disa herë e kanë përsëritur se nuk e njohin, ndërsa në favor të tij kanë dëshmuar mbi 20 persona, por që asnjë nuk u mor parasysh nga Trupi gjykues.

LËNDA E NASERIT NË DUART E GJYKATËS SUPREME
Vrasja e të riut Angel Petrov në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit, në vitin 2014, nga ana e Naser Eshtrefit nga fshati Gërçec i Sarajit, paraqet njërin prej shumë rasteve, ku prokuroria dhe gjykata janë cilësuar si të ndikuara dhe politizuara. Familjarët e të dënuarit me 14 vite burg, Naser Eshtrefit, në asnjë moment nuk e kanë mohuar veprën e kryer nga ana e djalit të tyre, megjithatë reagimet më të ashpra dhe revolta më e madhe nga ana e tyre ka qenë për mungesën e transparencës dhe montimin e procesit gjyqësor. Gjyshi i Naserit, Ilmi Nuishi, për gazetën KOHA thotë se shpresat për një gjykim të drejtë nuk kanë humbur asnjëherë, aq më pak kur sot është ndërruar pushteti qendror. “Pothuajse për katër vite me radhë, derë më derë kam trokitur duke kërkuar drejtësi. Largimi nga pushteti i garniturës së kaluar dhe reformat e paralajmëruara në drejtësi, për ne ngjallin një shpresë shtesë se drejtësia ndaj birit tonë do të dalë në shesh. Kjo shpresë edhe më tepër rritet kur tashmë  u liruan nga aktakuzën të akuzuarit për rastin ‘Monstra’, dhe besojmë se tash radhën e kemi ne dhe rastet tjera si puna jonë”, thekson, Nuishi.
Aktgjykimin e shkallës së parë, e cila Naserin e dënoi për veprën penale “vrasje me paramendim” e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, respektivisht për gati dy vite Gjykata Supreme ende nuk e ka dhënë fjalën e fundit, se vallë kjo lëndë duhet t’i nënshtrohet një rigjykimi, ose e njëjta do të vërtetohet. Për familjarët e Naserit, kualifikimi i këtillë aspak nuk është i pranuar, me çka këmbëngulin se vrasja e të riut maqedonas nga ana e djalit të tyre është kryer në vetëmbrojtje, pas dhunës dhe rrahjeve që i janë bërë nga i ndjeri bashkë me babain e tij. Njëherësh, ata theksojnë se aktgjykimi për këtë lëndë është shpallur në bazë të urdhrave me telefon dhe në asnjë mënyrë nuk janë marrë parasysh faktet dhe rrethanat se si ka ndodhur kjo vrasje. Ndryshe, gjyshi i Naserit, Ilmi Nushi, njofton se për zbardhjen e këtij rasti i është drejtuar edhe Prokurorisë Speciale Publike, nga e cila vetëm shkurt i kanë thënë se ekzistojnë dëshmi për këtë ngjarje, por pa dhënë detaje se çka në të vërtet kanë. Si pasojë e kësaj vrasje, disa ditë më vonë, në Gjorçe Petrov nga ana e qytetarëve maqedonas u mbajtën protesta të dhunshme, si pasojë të cilëve dëme të mëdha materiale ju shkaktuar bizneseve shqiptar në këtë lagje të Shkupit. Mirëpo, përpos sanksioneve për kundërvajtje, huliganët që shkatërruan dhe dogjën dyqanet e afaristëve shqiptar nuk u përndoqën penalisht.

 

SIVJET MUND TË MIRATOHET ASISTENCA NDËRKOMBËTARE PËR “LAGJEN E TRIMAVE”
Korniza ligjore e Maqedonisë, në asnjë mënyrë nuk parasheh që ndonjë instancë ndërkombëtare juridike të ndikojë apo të përfshihet në ndonjë proces të caktuar gjyqësor në vendin tonë. Kësisoj, pala mbrojtëse e të dënuarve për ngjarjet e Kumanovës, disa herë e ka përsëritur qëndrimin se vetëm përmes këshillave dhe ndihmës ndërkombëtare, sulmi në Karakollin e Gushincës dhe konflikti i armatosur në “Lagjen e Trimave”, mund të zbardhen në tërësi. Kërkesën për zgjerimin e hetimeve për këtë ngjarje (e cila kryesisht i tangon marrëdhëniet bilaterale mes Maqedonisë dhe Kosovës) të cilët në vazhdimësi e kanë theksuar si të nevojshëm avokatët, dy javë më parë e vërtetoi se do të ndodhë edhe kryeministri Zoran Zaev. Në takimin zyrtar mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe atij të Maqedonisë, Zoran Zaev, qartë u tha se kjo është çështje e brendshme e Maqedonisë, e cila përmes asistencës ndërkombëtare, do të arrihet deri te e vërteta. Ekspertët, gazetarët dhe opinioni më i gjerë i cili nga afër e ka vëzhguar këtë proces gjyqësor, ka pasur rastin të sheh parregullsi të shumta, qoftë nga Trupi gjykues apo nga prokurorët. Refuzimi i dëshmive plotësuese, respektivisht pasi Gjykata nuk pranoi që si dëshmitarë në këtë proces të ftohen politikanë dhe ish-funksionar të lartë të policisë, pjesa dërmues e të akuzuarve u revoltuan dhe deri shpalljen e aktgjykimit ata e bojkotuan gjykimin ndaj tyre. (koha.mk)