Ai mund të konsiderohet njeriu më i urryer në Evropë. Por pavarësisht kësaj, ai ëndërron të rikthehet i lirë për të shijuar një jetë normale. Historia e përbindshme e Josef Fritzl-it pushtoi faqet e gazetave të botës në vitin 2008, kur u zbulua se ai kishte mbajtur të burgosur në shtëpi dhe kishte abuzuar seksualisht me të bijën për 24 vjet me radhë. Fritzl, tashmë 82-vjeç, kishte abuzuar për herë të parë me vajzën e tij kur ajo ishte vetëm 11 vjeçe dhe ka sjellë në jetë me të 7 fëmijë. Sot Elisabeth është 51 vjeçe. Mark Perry, një gazetar që ndjek vijimin e rasteve të tilla pasi bëjnë bujë, thotë se 82-vjeçari austriak shpreson të lirohet. Perry, një britanik që ka jetuar në Austri për 50 vjet me radhë, punon në gazetën më të madhe vendase “Kronen Zeitung”.
Ai e ka takuar Fritzl-in në kohën kur vajza e tij u zhduk dhe ai i kishte thënë policisë se ajo kishte ikur nga shtëpia për t’iu bashkuar një sekti fetar. Parry e takoi Fritzl-in për herë të dytë pasi ai përfundoi pas hekurave me akuzën se kishte mbajtur të burgosur në bodrumin e shtëpisë për 24 vjet vajzën e tij, të cilën e kishte përdhunuar sistematikisht. “Sytë e tij ishin të ftohtë. Asnjë pendesë, asnjë keqardhje për asnjeri në botë, përveç vetes. Asnjë lot. Asgjë. Ishte një procedurë normale. Njësoj sikur po shkonte te doktori apo diku tjetër. Asnjë keqardhje për të bijën. As për nipërit, që janë njëkohësisht edhe fëmijët e tij”, tregon gazetari. Fritzl është babai i shtatë fëmijëve të lindur nga vajza e tij. Tre prej tyre jetuan me të dhe gruan e tij Rosemarie, e cila e dinte sekretin e errët të familjes. Por ai i kishte thënë se vajza ishte larguar nga shtëpia dhe i kishte braktisur, ndërkohë që ajo jetonte në bodrum, në një hapësirë të përshtatur për nevojat minimale të një njeriu.
Ajo çka çoi në zbulimin e tmerrit që ndodhte në shtëpinë Fritzl ishte sëmundja e vajzës 19-vjeçare të Elisabetës në prill 2008. Me frikën se vajza mund të vdiste nëse nuk shkonte në spital, Fritzl u detyrua të shkonte të mjekët, ku doli në dritë sekreti i tmerrshëm. Fritzl u shpall fajtor në vitin 2009 për vrasjen e një prej fëmijëve të Elisabetës, për incest, heqje të paligjshme të lirisë, dhe 3000 raste përdhunimi. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm. Të gjitha mediat e botës e pasqyruan rastin e Fritzel-it. Ndërsa Elisabeta jeton në një vend sekret në Austri së bashku me gjashtë fëmijët e saj dhe të babait. Ajo nuk ka folur kurrë në publik për 24 vitet e kaluara në bodrum si e burgosur dhe skllave seksi e atij që e kishte sjellë në jetë.