Shkup, 2 tetor – Ankimimi i vendimit të instancave më ulëta gjyqësor për rastin “Monstra”, para Gjykatës Supreme të Maqedonisë, do të vazhdojë më 3 tetor (e martë), shkruan gazeta KOHA. Ky proces gjyqësor në këtë shkallë të gjykimit pritet të vazhdojë pasi dy herë radhazi, si në shtator, po ashtu edhe në korrik të këtij viti, nuk u krijuan kushte për të shqyrtuar ankesën e palës mbrojtëse. Përderisa avokatët e të akuzuarve me burg të përjetshëm janë në pritje që Prokuroria Speciale Publike, zyrtarisht ta kërkoj këtë lëndë, rasti në fjalë para Gjykatës Supreme, sipas detyrës zyrtare, do të prezantohet nga prokurorja Liljana Spasoska, e cila njëkohësisht është ushtruese detyre kryeprokuror shteti. Ndryshe, që nga vrasja e pesëfishtë, e cila ndodhi në Liqenin e Smilkovës në Shkup në vitin 2012, opinioni vendas dhe ai më i gjerë vazhdimisht ka qenë në pritje të zbardhjes së rastit dhe lirimit nga burgu i pesë shqiptarëve të cilën janë të dënuar me burg të përjetshëm. (koha.mk)