Dorëzimi i lëndëve të PSP-së në Prokurorinë Publike pritet të jetë arsye kryesore që shumë lëndë në Gjykatën Penale të Shkupit të anulohen. Ndër to është edhe rasti “Monstra”, seanca e të cilit është caktuar me datë 18 shtator
Omer XHAFERI
Shkup, 14 shtator – Rasti “Monstra” përsëri pritet të shqyrtohet nga Prokuroria për krim të organizuar. Kjo kthesë u bë pas vendimit të fundit të Prokurorisë Speciale Publike (e cila është në shpërbërje e sipër), e cila të gjitha lëndët e saj, procedurat hetimore dhe ato para-hetimore vendosi t’ia dorëzoj Prokurorisë Publike. Prokurorja Fatime Fetai, e konfirmoi një gjë të tillë dhe tha se të gjitha provat e tyre për këtë rast janë dorëzuar në gjykatë, shkruan gazeta KOHA.
“Meqë u mor vendimi që lëndët t’i dorëzohen kryeprokurorit Lubomir Joveski, detyrë e tij është të vendos për zëvendësimin ose jo të prokurorëve. Teorikisht ekziston mundësia që të zëvendësohem”, tha Fetai për gazetën KOHA. Përkundër zhvillimeve të fundit , burime të gazetës KOHA, flasin se “Monstra” do të vazhdoj të përfaqësohet nga prokurorja Fetai. Edhe avokati Naser Raufi e ndan një mendim të tillë, sipas të cilit, përkundër lëvizjeve të lëndëve, nuk është praktikë që të zëvendësohet një prokuror .
Në rigjykimin e deritanishëm të rastit “Monstra”, nuk u prezantua asnjë dëshmi e cila ndërlidhet me materialet e përgjimeve të jashtëligjshme. Prokurorja Fatime Fetai ‘bombat’ për këtë lëndë i ka dorëzuar në Gjykatën Penale të Shkupit në korrik të këtij viti. Fillimi i publikimit duhej të ndodh më 5 shtator, por për arsye të statusit të pazgjidhur të PSP-së, ato nuk u prezantuan. Sipas të gjitha gjasave një gjë e tillë nuk do të ndodhë as me 18 shtator, kur është caktuar seanca e radhës për këtë lëndë. Procesi i transferimit të materialeve nga PSP-ja tek Prokuroria Publike, me të cilën kryeson Lubomir Joveski, jo zyrtarisht mund të zgjatë deri një muaj. Kështu, përveç rastit “Monstra”, gjatë periudhës që vijon, ekziston mundësia reale që të anulohen edhe lëndët tjera të iniciuar nga kjo prokurori.
Ndryshe, opinionin në publik në shumë rast është shprehur i zhgënjyer nga angazhimi i PSP-së për zbardhjen e të vërtetës për “Monstrën”. Menjëherë pas themelimit të saj, drejtuesit e PSP-së njoftuan se vrasja e katër të rinjve maqedonas dhe një peshkatari në Liqenin e Smilkovës, në prill të vitit 2012, është ndër prioritetet e kësaj prokurorie. Megjithatë, një paralajmërim i tillë nuk u vërtetua në praktikë. Qëllimisht ose jo, si pengesë kryesor për mos marrjen e rastit “Monstra”, për gati dy vite, PSP-së i llogariste ndryshimet në Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve. Por, edhe miratimi i këtyre ndryshimeve nuk solli asgjë të re, së paku deri në këtë fazë kur lënda për “Monstrën” u kthye po në atë prokurori kontroverse, e cila mendohet se e ka montuar dhe fabrikuar. Ndryshe, të akuzuarit për rastin “Monstra”, Agim Ismailoviq, Haki Aziri dhe Sami Luta, me vendim të Gjykatës Supreme t në vitin 2017 u lanë të mbrohen në liri, me arsyetim se është shkelur procedura gjyqësore. (koha.mk)