Zoran Zaevi ka pas thënë se gjithë ç’ka në “bombat” për rastin “Monstra” do t’i jepen Prokurorisë Speciale, kurse në publik e media ishte kuptuar sikur të ketë thënë se “bombat” dëshmojnë se të akuzuarit janë pafajshëm…Edhe me Fatime Fetain ka një keqkuptim: shumëkush harroi se ajo është përfaqësuese e akuzës dhe jo mbrojtëse e të akuzuarve, por gjithsesi, me të drejtë është pritur që ajo të dalë nga “skenari holivudian” i prokurores së mëparshme
Nga Daut DAUTI
- RIGJYKIMI I MONSTRËS…
A ju kujtohet çka pata thënë kur Prokuroria Speciale e mori lëndën “Monstra”? A ju kujtohet çfarë pata thënë për deklaratat e Zaevit për përgjimet?
Kështu do të duhej t’u drejtohesha lexuesve pas të enjtes kur Prokurorja Fatime Fetai kërkoi burg të përjetshëm për disa nga të dyshuarit në fjalën përfundimtare të saj! Dëshpërimi i madh i të akuzuarve dhe familjarëve të saj, mund të shprehet në fjalët e Bedri Ajdarit që tha se Fatime Fetai nuk dallon shumë nga prokurorja e mëparshme Gordana Geshkovska. Ka diçka që të shtyn të mendosh nga këto fjalë, por më tepër se kjo, është lajthitja e madhe në publikun e gjerë që ishte krijuar kur rasti “Monstra” qe kthyer në rishqyrtim me vendim të Gjykatës Supreme. Ishte qëllimi që si dëshmi të merren “bombat” e Zoran Zaevit, prandaj dhe lënda u kaluara te PSP-ja, dhe për më tepër, familjarët ishin të kënaqur që ajo ra në dorë të Fatime Fetait. Pikërisht personalizimi i çështjes si dhe fjalët e keqinterpretuara të Zaevit, më duket se krijuan një lajthitje të madhe, që çoi te ky dëshpërim i të akuzuarve.
Lajthitja e publikut të gjerë ishte se fjalët e Zaevit i mori disi jo të plotë, ose më saktë, ashtu si donte, e jo ashtu siç i kishte thënë faktikisht. Ndoshta sepse i përgjigjej edhe Zaevit që të kuptoheshin ndryshe, dhe të enjten një portal përkujtoi pikërisht deklaratën e bashkëpunëtorit të ngushtë të Zaevit që i kishte ushqyer shpresat e rrejshme të të akuzuarve. Unë p.sh., kujtoj fjalët që Zaevi ka thënë se edhe për rastin “Monstra” ka përgjime, dhe se gjithë çka ka për të, do t’i jepet Prokurorisë Speciale. Kaq. Ky është thelbi…Me sa mbaj mend unë(po e personalizojë kujtesën, s’mund të flas çfarë mbajnë mend të tjerët), Zaevi nuk ka thënë asnjëherë në mënyrë kategorike se përgjimet telefonike(“bombat”) kanë dëshmi se të akuzuarit për vrasjen e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës janë të pafajshëm. Logjika thoshte se po të kishte pasur diçka spektakulare që do të involvonte pushtetin e atëhershëm, siç patën dyshuar disa media, këtë Zaevi do ta kishte publikuar që në fillim dhe rrëfimi për Gruevskin do të kishte marrë fund para se plasnin “bombat” tjera korruptive. Të jem i sinqertë, edhe në rastin e fatkeqësisë së komunikacionit të gazetarit Nikolla Mlladenov, e as në rastin e vrasjes së Neshkovskit në sheshin e Shkupit, nuk pati ndonjë indicie serioze.
Publiku, e ka keqkuptuar edhe rolin e prokurores speciale Fatime Fetai. Është dashur të dihet se ajo është përfaqësuese e akuzës, kurse shumëkush e kuptoi sikur ajo është mbrojtëse e të akuzuarve! Çfarëdo që të bënte, nga lëkura e prokurores nuk do të mund të dilte.
Nëse lidhur me fjalët e Zaevit dhe pozicionin e prokurores ka pasur ndonjë lajthitje, jo me fajin e tyre, por nga keqkuptimi që përmenda më sipër, atëherë përfundimi i rigjykimit, duhet të jetë dëshpërues për arsyen tjetër që është përmbajtësore. Ajo që kanë pritur të akuzuarit, që prokurorja e PSP-së ta drejtojë lëndën “më ndryshe” nga paraardhësja e saj, pothuajse nuk ndodhi. Praktikisht, ajo i qëndroi besnik pikërisht atij përshkrimi të ngjarjes që e kishte sajuar Gordan Geshkovska, si një skenar trileri hollivudian të terrorit nga radikalë islamikë, ku mblidhen disa kokëkrisur për të bërë një masakër shokuese dhe për të krijuar çrregullime në shoqëri ose për të dhënë një porosi të caktuar qeverive “xhahile” perëndimore. Të tilla pamë viteve të fundit disa raste në Evropë e kontinente tjera, por në asnjë rast nuk pati motive të fshehura, siç është te vrasja e pesëfishtë e 12 prillit 2012 te liqeni i Smilkovës. Por “rrëfimin” e Gordana Geshkovskës, për shkak se nuk qe gjithaq bindës, Gjykata Supreme e ktheu në rishikim. Juristët dhe rezonuesit e kthjellët sigurisht nuk kanë pritur që Fatime Fetai të ndërrojë rolin e vet nga përfaqësuese të akuzës në mbrojtëse të të akuzuarve, por gjithsesi prej saj kanë pritur që të paktën përshkrimin skenaresk të ngjarjes që e kishte bërë ish-prokurorja, ta marrë me rezervë dhe të japë një dimension më të qëndrueshëm. Një ngjarje makabre si ajo e Liqenit të Smilkovës, kuptohet se kërkon dhe ndëshkim adekuat, askush nuk e pret që fajtorët të lirohen, këtë s’duhej pritur as nga “e jonja”, sepse fajtorët e vërtetë duhet ta marrin dënimin e merituar. Por, qëllimi është të dënohen fajtorët e vërtetë me dëshmi të qëndrueshme.
A janë gjetur dëshmi të reja dhe a ka pasur dëshmitarë të besueshëm, këtë duhet ta thonë edhe mbrojtja edhe gjykata. Nuk mund të them se kam përcjellë gjithë ç’është raportuar nga rigjykimi, por mund të them një gjë se një nga pistat e pahulumtuara të rastit është një fjalim i deputetit Dragisha Miletiq, i cili e kishte paralajmëruar se do të ndodhë diçka e tillë në prill të vitit 2012. Nëse nuk ka pasur dëshmi të reja relevante nga “bombat”, atëherë të paktën të ishte hetuar ç’kish dashur të thotë Miletiqi me atë paralajmërim? A e ka sjellë dikush si dëshmitar në gjyq, a e ka marrë dikush në pyetje ndoshta do të jepte ndonjë drejtim tjetër hetimit?
Shpresojmë që pas prokurores, më shumë dritë në të vërtetën për “Monstrën” të hedhin edhe fjalët e mbrojtjes në fillim të shkurtit.
- PËRKATËSIA ETNIKE NË DOKUMENTET PERSONALE
Pas votimit të ligjit edhe nga ana deputetëve të Aleancës për Shqiptarët, hoqa çdo dilemë rreth ligjit dhe tash jam më i bindur se më parë se ai është bazë e mirë për regjistrim objektiv. Por edhe ligji më i përsosur, mund të dështojë në zbatimin e tij nëse has në pengesa praktike. E pengesat praktike janë dy më kryesore: pamundësia për të regjistruar të gjithë ata që nuk janë në vend për shkak të migrimit, dhe e dyta, e qartë është se me bojkotin e VMRO-DPMNE-së, një numër i madh maqedonasish nuk do të pajtohen të japin të dhënat e tyre. Janë edhe deklaratat e shumta “dykyptimëshe”, të cilat të shtyjnë të dyshosh se edhe ata që me çdo kusht insistojnë të bëhet regjistrimi, kanë ndonjë “dëshirë të fshehur”. Mua më duket paksa problematike edhe vetë gatishmëria e drejtorit të Entit të Statistikës që regjistrimi të kryhet “pa marrë parasysh a do t’i pëlqejnë dikujt rezultatet”, ose madje edhe kryeministrit Zaev, që edhe nëse bie numri i shqiptarëve nën 20 për qind, nuk do të ketë reduktim të të drejtave kushtetuese…Pra, në njërën anë kemi mundësinë e bojkotit nga VMRO-ja, me një abstinencë të mundshme dhe numerikisht të konsiderueshme të maqedonasve, e këndej përmendet numri i shqiptarëve, që në një situatë të tillë hipotetike të bojkotit vetëm mund të rritet në përqindje,e jo të vihet në pyetje 20-përqindëshi kushtetues.
Por ajo që përfundimisht do ta kishte zgjidhur problemin dhe do t’i kishte mbyllur të gjitha dyshimet, është ajo që nuk është bërë deri tash, e si duket, do të presë edhe ndonjë kohë. Me të drejtë partneri më i vogël i koalicionit, Lëvizja Besa ka kërkuar ligj me të cilin në dokumentet personale do të futet pikërisht përkatësia etnike. Përpunimi kompjuterik i të dhënave përmes dokumenteve personale, sigurisht do të jepte pasqyrë më reale të strukturës etnike por dhe të pjesë dërmuese të qytetarëve, sepse pa përjashtim do t’i kishte në regjistër edhe ata që punojnë jashtë shtetit(e bie fjala janë në listën e përgjithshme votuese). Me të dhënat e përkatësisë etnike në çdo kohë të mundshme, në regjistrimin klasik do të mblidheshin të dhënat tjera për pronat dhe amvisëritë. Këtu mbase me të drejtë Aleanca për Shqiptarët e ngre dyshimin për një ligj tjetër, sepse, përderisa ndryshime bëhen për dokumentet personale për shkak të futjes së emrit të ri të shtetit(sipas marrëveshjes me Greqinë), më e udhës është që në një pako të futet edhe përkatësia etnike, që të mos detyrohen qytetarët të bëjnë dy herë ndryshime në letërnjoftimet dhe pasaportat.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)