Omer XHAFERI
Shkup, 16 qershor – Votimi për ndryshimin e dispozitave të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve ende nuk dihet se kur do të futet në procedurë parlamentare. Normat e ligjit ndoshta më të rëndësishëm për fatin e rasteve të montuara politike, siç janë Monstra, Sopoti, Kumanova e kështu me radhë, sipas LSDM-së do të shqyrtohen në periudhën që pason. Megjithatë, deputeti dhe anëtari i kryesisë së LSDM-së, Petre Shilegov, në deklaratën e dhënë për gazetën KOHA, nuk precizoi se kur ndryshimi dhe plotësimi i këtij ligji do të dorëzohet para deputetëve. “Deri para disa ditëve ne ende nuk i kishim të formuara komisionet parlamentare të cilët janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e punës së Kuvendit. Tash që ato u formuan ne do të ulemi dhe do të vendosim duke e bërë listën e prioritete për ndryshimet ligjore që duhet bërë. Si për këtë çështje ashtu edhe për vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, ne jemi duke punuar në mënyrë permanente”, tha Shilegov për gazetën KOHA.
Iniciativa e parë Prokurorisë Speciale Publike, e dorëzuar në Parlament, me kërkesë për ndryshimin e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve u parashtruar në prill të vitit të kaluar. Bashkërisht me plotësimin e këtij ligji, PSP-ja kërkoi edhe implementimi i rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, që lidhen me mbrojtjen e privatësisë, gjegjësisht publikimin e materialeve me opinion për të cilët ekziston interesi publik. Sidoqoftë, të dyja këto ligje në tetor të vitit të kaluar nuk arritën të marrin pëlqimin e 61 deputetëve. Duke e komentuar nevojën e këtyre ndryshime dhe periudhën që ka kaluar, nga PSP-ja për gazetën KOHA kanë thënë se në disa raste kanë apeluar se ndryshimi i këtij ligji është i një rëndësie të veçantë për procedimin e mëtutjeshëm të lëndëve siç janë: Monstra, Sopoti, Martin Neshkovski, e kështu me radhë. “Pasi iniciativa e parë për ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dështoi, ne ende nuk kemi vendosur se a do të parashtrojmë përsëri kërkesë për plotësimin e këtij ligji ose një gjë të tillë vetvetiu do ta bëjë përbërja e re parlamentare. Për momentin, PSP-ja është e përqendruar në ngritjen e aktakuzave për 13 hetime të përfunduara, të cilët në Gjykatën Penale të Shkupit, duhet të dorëzohen deri më 30 qershor. Përkundër faktit se këto lëndë janë prioritet për momentin, prokuroria speciale vazhdon me punë në procedurën paraprake për Sopotin. Njëherit, e shfrytëzojmë këtë rast të apelojmë se ndryshimet e këtij ligj janë të rëndësishme për mbarëvajtjen e mëtutjeshme të lëndëve të sipërpërmendura. Vlerësojmë se në këtë drejtim duhet të miratohet një program për mbrojtjen e dëshmitarëve i cili do të përputhet me vendet e perëndimit, respektivisht të konkretizohet çështja rreth identiteti të dëshmitarit të fshehur, gjegjësisht një gjë të tillë duhet ta dijë vetëm prokurorja speciale se për cilin dëshmitar bëhet fjalë, dhe jo siç është për momentin, ku më shumë persona nga MPB-ja kanë njohuri për identitetin e dëshmitarit”, thonë nga PSP-ja. Ndryshe, në propozim ligjin e dorëzuar vitin e kaluar PSP-ja kërkesën për ndryshimet e Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve e ka arsyetuar duke sqaruara se me këto plotësime prokuroria speciale do ta sigurojë parimin e autonomisë së plotë për procedimin e lëndëve që burojnë nga përgjimet e jashtëligjshme.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara