Shkup, 17 prill – Për shkak të mungesës së njërit nga të akuzuarit në procesin e rifilluar gjyqësor për rastin “Monstra”, seanca u shty për më 15 maj. I akuzuari, Fejzi Aziri, për shkaqe shëndetësore, përkatësisht pasi ka qenë i shtrirë në spital, ka munguar në seancë. Por, edhe pse seanca e sotme u anulua, fjalën në gjykatë e kërkoi nëna dhe babai i viktimës Aleksadër Naqevski. Ata kërkuan nga gjykata që ta zbulojnë të vërtetën.
“Gjykata dhe Prokuroria t’i zbulojnë rolet e të akuzuarve, nëse ata ishin zbatuesit apo ndihmësit. Kërkojmë të dekodohen numrat të cilat në aktgjykim mbahen si sekrete shtetërore, por janë funksionarë të BDI-së”,- u shpreh nëna e Aleksandrit, Zorica Naqevska. Ajo kërkoi që të zbulohen fajtorët që u përmendën nga dëshmitari i mbrojtur, por që nuk ishin të përfshirë në hetim, sepse ishin të pakapshëm për organet. Ajo madje kërkoi nga gjykata t’i japin telefonin e djalit të ndjerë.
Ndërkohë, prokurorja, Fatime Fetai, kërkoi prova shtesë si argument se Fejzi Aziri është vërtet i sëmurë. Fetai tha se kjo lëndë është shumë serioze dhe rigjykimi i rastit “Monstra” duhet të ketë prioritet.
“Mendova se sot do të fillojmë me lëndën dhe ky gjest më duket shumë joserioz”,- i tha Fetai mbrojtjes. Por, avokati mbrojtës, Naser Raufi, tha se në keqësimin e gjendjes shëndetësore të Fejzi Azirit ka ndikuar edhe paraburgimi prej gjashtë vitesh.