Organizatat joqeveritare në Kosovë të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thonë se janë duke u fokusuar në disa çështje, që ishin evidentuar edhe në proceset e kaluara si parregullsi dhe shkelje.
Votimet familjare dhe presioni mbi votuesit, janë vetëm dy nga çështjet të cilat përmenden si dobësi që i ndjekin proceset zgjedhore në Kosovë.
“Demokracia në Veprim”, është një rrjet prej 10 organizatave anëtare dhe 38 organizatave partnere të cilat do ta monitorojnë procesin e zgjedhjeve.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (që bën pjesë në rrjetin Demokracia në Veprim), thotë për Radion Evropa e Lirë se në ditën e zgjedhjeve do të angazhohen më shumë se 2 mijë vëzhgues.
Bazuar në zgjedhjet e kaluara parlamentare, por edhe ato lokale, ai thotë se pritjet në fakt janë që parregullsitë, eventualisht të përsëriten.
“Presim se mund të kemi votime grupore, votime familjare dhe lloje të tjera të votimit të cilat nuk janë të lejuara në bazë të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, por edhe në bazë të rregulloreve të tjera të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Cakolli…
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, tha për Radion Evropa e Lirë se siguria në zgjedhje dhe mbarëvajtja e tyre duhet të garantohet nga organet e sigurisë dhe mekanizmat e drejtësisë në mënyrë që të parandalohen veprimet që mund të dëmtojnë fushatën zgjedhore dhe vet procesin e votimit.