Procesi i skriningut që pritet të fillojë në shtator në mënyrë të detajuar do ta përcjellë punën e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publike. Këto dy institucione gjyqësore, të formuar për të siguruar sundimin e ligjit dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, gjatë viteve të kaluar shpeshherë janë cilësuar si organe partiake, që në masë të madhe kanë kontribuar për politizimin dhe partizimin e gjykatave dhe prokurorive
Omer XHAFERI
Shkup, 8 gusht – Skrining-procesi i Kapitullit 23 nuk nënkupton kontrollin e drejtpërdrejtë të punës së gjykatësve dhe prokurorëve. Kjo detyre vazhdon të jetë kompetencë ekskluzive e organeve nacionale, respektivisht sipas Margarita Caca Nikollovskës, puna individuale e gjykatësve dhe prokurorëve të caktuar është detyrë e institucioneve shtetërore të Maqedonisë. Duke sqaruar se çka realisht nënkupton procesi i skriningut, Nikollovska për gazetën KOHA thotë se srkiningu (pasqyrimi i gjendjes reale në gjyqësor), është të shikohet se si institucionet mbikëqyrës i trajtojnë shkeljet eventuale të prokurorëve apo gjykatësve.
“Po ashtu, skriningu pritet të vlerësojë se si organet gjyqësor, Këshilli Gjyqësor apo Këshilli i Prokurorëve, vepron në raste të tilla, gjegjësisht qëllimi i këtij procesi është të vërtetohet se vallë ekzistojnë vendime ligjore për të shqyrtuar shkelje eventuale. Tutje skriningu pritet të dëshmoj se në rast të hetimeve sa janë të siguruara të drejtat e tyre. Njëkohësisht analizohet e drejta e ankesës, pastaj qasja e Këshillave të apostrofuara. Pra, nëse para këtyre organeve zhvillohet ndonjë procedurë për gjykatës apo prokuror të caktuar, atëherë skrininig-ekipi nga afër do ta përcjellë këtë procedurë. Kryesisht, skriningu ka të bëjë me çështjen se çka shteti bën për të siguruara standardet e vendosura nga BE-ja”, thotë Nikollovska.
Gjatë periudhës së kaluar, puna e Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli të Prokurorëve vazhdimisht është monitoruara nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, siç janë Këshilli i BE-së apo Stejt Departmenti. Në këtë drejtim, ish gjykatësja Caca Nikollovska thekson se skrining-procesi, i cili pritet të fillojë nga shtatori i këtij viti, paraqet mbikëqyrje më të detajuar të punës së Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli të Prokurorëve Publikë.
Profesori universitar Bashkim Selmani, kur flet për procesi e skriningut, thotë se si shumë vende te Evropës Juglindore, ashtu edhe Maqedonisë i nevojitet ndërhyrje rrënjësore në sferën e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut.
“Vlerësoj se Maqedonia, nuk ka mungesë të dispozitave të qëndrueshme ligjore. Mirëpo, problemi sipas meje, është se në vendin tonë nuk u realizua një revizion paraprak për të gjithë funksionet e gjykatësve apo prokurorëve, të cilët gjatë dhjetë viteve të fundit u keqpërdorën dhe që shkaktua dëme me montimin e rasteve gjyqësore. Suksesi i skriningut varet nga pastrimi i faktorit njëri. Reformat në gjyqësor vlerësoj se nuk bëhen me njerëz të cilët e kanë keqpërdorur pozitën e tyre apo kanë bërë krime të ndryshme. Prandaj, krahas kornizës ligjore e cila pritet të jetë temë e skriningut, legjislacionit të Maqedonisë i duhet një revizion për të gjithë ata persona (gjykatës dhe prokurorët) që i kanë shërbyer politikës dhe i kanë shkelur të drejtat e njeriut dhe të drejtat kolektive. Më tepër reformat në gjyqësor besoj se duhet të bëhen në aspektin individual se sa atë legjislativ”, thotë Selmani.
Ndryshe, Komisioni Evropian, në faqen e saj ku sqaron kapitujt, në pjesën e Kapitullit 23, thekson se vendosja e gjyqësorit të pavarur dhe efektiv është me rëndësi esenciale për çdo vend që dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Paanshmëria, integriteti dhe standardet e larta të punonjësve gjyqësor janë esenciale për sundimin e vërtettë të së drejtës. Mes tjerash, ata shtojnë se një kornizë e fuqishme ligjore dhe institucione të sigurta janë më së të nevojshme për vënien e një politike koherente për parandalim dhe pengim të korrupsionit.
Në prill të këtij viti, pas një procesi të mundimshëm negociatave mes pozitës dhe opozitës, në Parlamentin e Maqedonisë, u votua pakoja e parë e ligjeve të cilësuar si “ligjet reformistë”. Krahas plotësim-ndryshimit të Ligjit për gjykata, Ligjit për Këshilli Gjyqësor, apo Ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, përbërja parlamentare ende nuk ka arritur marrëveshje për miratimin e ndryshimit të Ligjit për prokurorinë publike, që parasheh përfshirjen e Prokurorisë Speciale Publike, si pjesë e prokurorisë së rregullt, e cila njëkohësish pritet të hetoj rastet e rënda korruptive. (koha.mk)