Sipas një studimi, molla mund të jetë një frut shumë i mirë për parandalimin e disa lloje kanceresh
Një sëmundje si kanceri mund të lidhet me faktorë dhe kushte të shumta që e favorizojnë shfaqjen e tij. Por ka edhe shumë faktorë që lidhen me mënyrën e jetesës, të cilët mund ta parandalojnë. Dhe një rol themelor luan ushqimi dhe mund të thuhet se njëri nga super ushqimet në këtë kuptim është molla. Duke u nisur nga ky fakt, studiuesit e Institutit Negri në Milano e ndryshuan shprehjen klasike angleze për mollën, duke e zëvendësuar fjalën “mjeku” me fjalën “onkologu”: “An apple a day keeps the oncologyst away?” (Një mollë në ditë e mban larg onkologun?). Dhe pas 10 vjet studimi të realizuar me 15 000 persona, rezultoi se konsumi i rregullt i një molle në ditë redukton ndjeshëm mundësinë e zhvillimit të një numër kanceresh.
Gjysma e personave që ishin pjesë e këtij studimi hanin rregullisht nga një ose më shumë mollë në ditë, ndërsa pjesa tjetër asnjë. U morën parasysh edhe faktorë të tjerë si mosha, seksi, arsimimi, treguesi i masës trupore dhe aktiviteti fizik, së bashku me konsumin e alkoolit, duhanit dhe perimeve. Rastet e kancerit tek konsumuesit e mollëve ishin më të ulta se tek ata që nuk konsumonin: 25% për kancerin e ezofagut, 215 për kancerin e gojës, 20% për kancerin e zorrës së trashë, 18% për kancerin e gjirit, 15% për kancerin ovarian dhe 9% për atë të prostatës. Kjo lidhet kryesisht me faktin se molla përmban dy substanca të fuqishme që mbrojnë ndaj oksidimit: flavonoidët pengojnë zhvillimin e qelizave kanceroze, ndërsa proantocianidinat ndihmojnë sistemin imunitar. Kësisoj, kombinimi i këtyre dy antioksidantëve e bën mollën një ushqim, veç vlerave të saj të shumta pozitive për organizmin, ka edhe një potencial të madh për parandalimin e kancereve.
Si të shfrytëzohen sa më mirë vlerat antioksidante të mollës? Për të shfrytëzuar sa më mirë vlerat antioksidante të mollës, këshillohet që ato të lahen mirë e të konsumohen pa ua hequr lëkurën, duke shfrytëzuar të gjithë përbërësit e tyre ushqimorë, meqenëse flavonoidët (substanca që ndikojnë në ngjyrimin e disa luleve, frutave dhe bimëve) janë të përqendruara në lëkurën e tyre dhe pikërisht në pjesën më të jashtme të mishit të frutit.
Një faktor tjetër që duhet marrë parasysh në efektin e mollës për parandalimin e kancereve është konsumi i tyre i rregullt, pra, është e rëndësishme që konsumi i mollës të kthehet në një zakon. Molla mund të përdoret në çfarëdo ore të ditës, por për të shmangur ngrëniet e tepërta të ushqimit, mund të merret edhe midis vakteve, pasi ajo ndihmon për shuarjen e urisë, gjë që ndihmon gjithashtu edhe për reduktimin e ngrënies së tepruar gjatë vaktit. Një rekomandim tjetër është që përdorimi i mollës të kthehet në zakon që në moshën e fëmijërisë. Shumë fëmijëve nuk u pëlqen të hanë fruta, pasi zakonisht ato u jepen pas ngrënies, kur ata janë të ngopur apo preferojnë të hanë ëmbëlsira. Për të ngjallur interesin e tyre ndaj mollës dhe frutave të tjera është mirë që të ndryshohet ky zakon. Këshillohet që pas një aktiviteti fizik, fëmijës t’i jepet një mollë. Duke qenë e përbërë me 85 % ujë, ajo shuan etjen dhe urinë shumë më mirë dhe më shëndetshëm se pijet freskuese.
Një zgjidhje tjetër është që fëmijëve t’u jepen mollë të vogla ose të prera me kubikë apo feta, në mënyrë që ata t’i hanë vetë, duke fituar kështu edhe një farë autonomie. Ndryshe nga ushqime të tjera me vlera antioksidante, molla nuk krijon probleme nëse konsumohet e gjallë apo jo, prandaj ajo mund të përdoret edhe e pjekur në furë apo si shoqëruese e ushqimeve të tjera.