Moldavia i përgjigjet Lavrovit: Ne vetë zgjedhim të jemi pjesë e botës së lirë

Moldavia vetë vendos për të ardhmen e saj si “pjesë e botës së lirë”, bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme në Kishinjev, duke hedhur poshtë akuzat e Moskës se Perëndimi po përpiqet të bëjë disa vende, mes të cilave edhe Moldavinë, armiq të Rusisë.

Në një intervistë për televizionin shtetëror rus, ministri i Punëve të Jashtme Sergej Lavrov tha se Moldavia është një nga ish republikat sovjetike që Perëndimi po përpiqet t’i bëjë armiq Rusisë.

Përveç Moldavisë, Perëndimi gjithashtu dëshiron ta shndërrojë Gjeorgjinë në një armik të Rusisë dhe t’i përkeqësojë marrëdhëniet e Rusisë me vendet e Azisë Qendrore, tha Lavrov.

Advertisements

“Kategorikisht e hedhim poshtë deklaratën e shefit të diplomacisë ruse, e cila nuk korrespondon me realitetin dhe është pjesë e retorikës së njohur kërcënuese të diplomacisë ruse”, u përgjigjën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Moldavisë.

Në qershor, Bashkimi Evropian i ndau Moldavisë dhe Ukrainës fqinje statusin e kandidatit për anëtarësim në bllok.

“Do të dëshironi ta përkujtojmë palën ruse se rruga që ka zgjedhur Moldavia është rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Moldavia ka zgjedhur qartë të ardhmen e saj dhe ajo e ardhme është pjesë e botës së lirë”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Moldavisë.