Nëse vazhdon kjo politikë e standardeve të dyfishta të Brukselit, që aktualisht po bëhet në kurriz të Kosovës, atëherë në vend të ujërave të qetë do të shtohen akujt e Stepeve që mund të pamundësojnë lëvizjen e kësaj anijeje të madhe. Megjithatë, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mos i shuajnë kapacitete pritëse, sepse nuk kanë alternative tjetër
Nga Emin AZEMI
A mundet në të ardhmen përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, të paralajmërojë ndonjë takim protokollar në Beograd me një të kërkuar nga Serbia, e që i bie se ai person mund të jetë hiq më pak se President i Kosovës, Hashim Thaçi, mirëpo në moment të fundit takimi të anulohet për arsye se mysafiri nga Prishtina mundet të arrestohet diku rrugës.
Pse diplomatët e Brukselit bëhen sikur asgjë s’po ndodhë në Beograd, madje edhe atëherë kur policia e këtij vendi fut në listën e të kërkuarve edhe politikanë të Kosovës, të cilët duhet të angazhohen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Çfarë normalizimi mund të pritet kur Brukseli toleron Beogradin që t’i arrestojë në të ardhmen bashkëbiseduesit e paqes dhe mirëkuptimit?
Për çfarë klime të mirëbesimit rajonal ligjërojnë diplomatët e Europës, kur Kosova ende shantazhohet hapur nga Beogradi (Kosova ende është pjesë e Serbisë sipas Kushtetutës së këtij vendi) dhe kjo ndodhë në kohën kur këto dy vende duhet t’iu japin fund armiqësive, mirëpo Brukseli ende praktikon standarde të dyfishta, duke kërkuar me këmbëngulje nga Prishtina të jetë racionale në qëndrime, në njërën anë, dhe duke toleruar praktikat recidiviste të kohës së Millosheviqit, që nënkuptojnë ndjekjen dhe persekutimin e personaliteteve nga Kosova, të cilët ende figurojnë si armiq në arkivat serbe, në anën tjetër.
Ndonëse është raportuar se Interpoli ka hequr nga lista e fletarresteve rreth 20 ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë edhe atë ndaj kryeministrit të tanishëm të Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaqi, kjo megjithatë ka shkaktuar jo pak reagime në Beograd , duke paralajmëruar se ky vendim gjoja do të anulohet shumë shpejt, kjo për shkak të ankesës që ka bërë Serbia, duke potencuar shkeljen e procedurave që qenkan bërë me rastin e largimit të këtyre emrave nga kjo listë. Mediat e Beogradit, madje raportuan se Interpoli gjoja do të rikthej, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj dhe 20 ish-pjesëtarë të UÇK-së, në listën e të kërkuarve për krime lufte.
Por njohësit e përvojave ndërkombëtare në fushën policore kanë thënë se për një çështje të tillë nuk vendosë Beogradi, ndërkohë që Qeveria e Kosovës nuk ka ende një qëndrim zyrtar rreth paralajmërimeve nga Beogradi për kthimin emrave të shumë qytetarëve të Kosovës në listën e personave të kërkuar nga INTERPOL-i (Policia Ndërkombëtare). Kjo edhe për faktin se pamundësia e Kosovës që të bëhet anëtare e INTERPOL-it, po shihet si pengesë për spastrimin e listës së personave të kërkuar mbi bazën e urdhër-arresteve të Serbisë.
Habit fakti se Brukseli ka qëndruar shumë indiferent ndaj këtyre veprimeve të Beogradit, madje edhe atëherë kur qytetarë të shumtë të Kosovës, në bazë të fletë-ndjekjeve ndërkombëtare të Serbisë, janë mbajtur në paraburgim në shtetet e Bashkimin Evropian me muaj, e ndonjëherë edhe me vite dhe pastaj të njëjtit më vonë janë liruar. Rasti më i fundit ishte me kryeministrin Haradinaj, i cili u ndalua disa muaj nga policia franceze, vetëm pse kështu kishte qejf Beogradi.
Bashkimi Europian është spiranca e vetme që lidh shpresat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor me anijen e madhe të vlerave civilizuese. Por, nëse vazhdon kjo politikë e standardeve të dyfishta të Brukselit, që aktualisht po bëhet në kurriz të Kosovës, atëherë në vend të ujërave të qetë do të shtohen akujt e Stepeve që mund të pamundësojnë lëvizjen e kësaj anijeje të madhe. Megjithatë, qytetarët e Kosovës do të vazhdojnë të mos i shuajnë kapacitete pritëse, sepse nuk kanë alternative tjetër. (koha.mk)