Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federika Mogerini sot ndodhet për vizitë në Kosovë, në kuadër të turnesë së saj në vendet e Ballkanit Perëndimor. Takimin e parë në Kosovë Mogerini e zhvilloi me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi me dyer të mbyllura.
Thaçi në postimi e tij në Facebook ka shkruar se Përfaqësuesja e Lartë e BE-së i ka dhënë përkrahje procesit të integrimit evropian dhe hapave konkretë e të menjëhershëm për liberalizimin e vizave.
“Kosova dhe rajoni kemi sfida të ndryshme, por kemi aspiratë dhe prioritete të njëjta – zhvillimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vizita e Përfaqësueses së Lartë, Mogerini, është konfirmim se Bashkimi Evropian është i përkushtuar që edhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e unionit”, ka shkruar Thaçi në Facebook pas takimit me Mogerinin.
Gjatë vizitës së saj, Mogerini do të takohet me krerët e lartë të Kosovës duke përfshirë kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli, kryeministrin Isa Mustafa dhe udhëheqësit e partive politike parlamentare, përfshirë ato opozitare. Gjithashtu ajo do të vizitojë edhe urën e Mitrovicës. Mogerini në kuadër të një turi që zhvilloi në vendet e Ballkanit Perëndimor pati vizitë në Serbi, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Me vizitën e sotme në Kosovë, ajo përmbyll turneun ballkanik.