Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini e filloi turneun ballkanik me vizitë në Mal të Zi, ku do të takohet me funksionarët më të lartë të shtetit dhe do të mbajë fjalim para deputetëve në Parlament, në të cilin, sipas paralajmërimeve nuk do të marrin pjesë deputetë të opozitës. Përfaqësuesit e organizatës malazeze konfirmuan për “Pobjeda” se deputetët opozitarë nuk do ta ndërprejnë bojkotin e Parlamentit, as kur në të do të mbajë fjalim Mogerini. Seanca në të cilën do të mbajë fjalim Mogerini është caktuar për në orën 18:30.
Pas seancën në Parlament, Mogerini do të bisedojë edhe me kryeministrin Dushko Markoviq, ndërsa paraprakisht do të takohet me presidentin e Malit të Zi Filip Vujanoviq. Shefja e diplomacisë së BE-së, e cila sot me vizitën në Malin e Zi e fillon turneun shumëditor nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, porositi se reformat në çdo vend nuk janë të rëndësishme sepse qeveritë dhe BE-ja i dëshirojnë, por sepse ato mund të bëjnë një dallim të rëndësishëm në jetët e një numri të madh të njerëzve në rajon.
Në tekstin autorial për “Pobjeda”, Mogerini porosi se vendosja e Ballkanit Perëndimor në BE është detyrë për këtë, e jo për gjeneratën e ardhshme politike. “Ballkani është pjesë e Evropës, çdoherë ka qenë, asnjë kufi politik nuk mund ta ndryshojë këtë realitet gjeografik, historik dhe klimatik. Pretendimet e Ballkanit janë evropiane: ato meritojnë mundësi të njëjta, mbrojtje dhe të drejta të njëjta si gjithë qytetarët e tjerë të këtij kontinenti”, theksoi ajo.
Për Mogerinin BE-ja nuk do të jetë e plotë derisa ky rajon “në zemër të Evropës nuk bashkohet, si pjesë e bashkësisë së BE-së”. “Të gjithë ne kemi dobi, që paqja e Ballkanit Perëndimor të jetë e pakthyeshme, si dhe të realizohet përparim shoqëror, ekonomik dhe demokratik. Nëse ndodh kjo, përparimi ndaj pjesëmarrjes në BE gjithashtu do të jetë i pakthyeshëm. Kjo është kyçe sa për BE-në, aq edhe për qytetarët dhe liderët e Ballkanit Perëndimor”, thotë ajo.
Sipas saj, që të kontribuohet ndaj këtij qëllimi, BE-ja dhe shtetet-anëtare të saj duhet të bashkëpunojnë me të gjitha vendet e rajonit. “Prandaj këtë javë do ta vizitoj tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor, që të takohem me liderët dhe qytetarët në Podgoricë, Sarajevë, Prishtinë, Tiranë, Shkup dhe Beograd. Kam dashur në kuadër të këtij udhëtimi t’i vizitojë të gjitha shtatë qytetet, ky udhëtim të jetë me të vërtetë rajonal”, shtoi Mogerini.