Helsinki, 30 gusht – Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, porositi se në takimin e sotëm joformal të ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së ka vërejtur mbështetje më të fuqishme dhe vendosmëri për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor.
Duke folur në pres konferencën pas takimit ministror, Mogerini theksoi se për herë të parë diskutimi për zgjerim është udhëhequr jo vetëm nga perspektiva e vendeve kandidate, por nga perspektiva e vetë vendeve anëtare.
“Sot pashë mbështetje akoma më të fuqishme, vendosmëri më të fuqishme për rëndësinë e BE-së për të qenë konsistente në hapat e ardhshëm të zgjerimit, zakonisht këtë e marrim nga pikëpamja e vendeve aspiruese, por harrojmë se sa është e rëndësishme për ne të bashkohet sërish kontinenti”, deklaroi Mogerini.
Përfaqësuesja e lartë e Punëve të Jashtme të BE-së theksoi se integrimi i vendeve të rajonit paraqet interes për Unionin nga aspekti ekonomik, politik, i sigurisë dhe emigrues, midis tjerash.
“Por, gjithashtu nuk duhet të harrojmë se ky është me siguri rajoni i vetëm ku procesi inkuadrues ka vlerë të thellë në ndërtimin e paqes dhe pajtimit, këto vende kanë luftuar deri para njëzet viteve dhe vetëm perspektiva për të qenë së bashku në të njëjtën familje mund t’i nxisë që në mënyrë ekonomike, politike, institucionale të ballafaqohen me historinë e rëndë dhe të shohin nga e ardhmja”, shtoi shefja e diplomacisë evropiane.
Ajo përkujtoi se Ballkani është rajoni i vetëm ku mbështetja për BE-në arrin më shumë se 70 për qind dhe se kjo energji i nevojitet Bashkimit Evropian.
Mogerini nuk deshi të japë më shumë detaje për diskutimet dhe për cilat hapa të ardhshëm është biseduar, veçanërisht duke e pasur parasysh atë se Maqedonia është në pritje të datës për negociata në tetor, së bashku me Shqipërinë. Mogerini, megjithatë, e pranoi se ministrat kanë pasur diskutim “të gjerë” për këto dy vende.
Është folur edhe për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, të cilave Mogerini edhe një herë ju bëri thirrje t’i vazhdojnë negociatat.