Mogerini: Ky është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë, nevojitet unitet dhe punë më e madhe

13

Shkup, 19 prill – Rekomandimi i pastër i Komisionit Evropian është rezultat i përpjekjeve të Qeverisë, por edhe i bashkëpunimit të opozitës, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini sot gjatë fjalimit para deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë, e cila shprehu kënaqësi që opozita u kthye në trupin ligjdhënës.

“Ju e ndani obligimin për të ardhmen e qytetarëve tuaj. Qeveria ka përgjegjësi t’i ndajë hapësirë opozitës për përfshirjen e plotë, ndërsa opozita ka përgjegjësi të kyçet në tërë këtë punë. Keni përgjegjësi t’i identifikoni interesat nacionale dhe prioritetet e vendit tuaj, keni përgjegjësi kolektive të bashkëpunoni me institucionet në mënyrë që të arrini rezultate në prioritetet nacionale”, i porositi sot Mogerini deputetët e Maqedonisë.

Shtoi se Maqedonia është kthyer në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe ai është vendi ku duhet vendi të ndodhet.

“Kur përkujtohem se çka ka ndodhur këtu, në Kuvend, para një viti, dhe çka po ndodhë tani, mund të them se kaluat një rrugë të gjatë. Është pozitive që u kthyet në rrugë, e kaluat krizën më të keqe politike dhe institucionale, me të cilën jeni përballur ndonjëherë. Rekomandimi është arritje e madhe për të gjithë në vend dhe ai para së gjithash është arritje falë vendosmërisë së secilit qytetar të këtij vendi”, tha Mogerini.

Ajo theksoi se ky është vetëm hapi i parë i një rruge të gjatë ku do të jenë të nevojshme unifikim, angazhim dhe punë më e madhe, por edhe do të njihet dhe do të paraqesë bazë për zhvillim.

“Atë që e keni bërë brenda vitit është me të vërtetë impresionuese, që arritët ta realizoni së bashku, veçanërisht për reformat. Edhe pritjet janë të larta se ky akt i bashkimit të forcave të disa prioriteteve kombëtare mund të vazhdojë edhe më tej në të ardhmen. Ky është sinjali më i fuqishëm i pjekurisë në një sistem demokratik”, tha Mogerini.

I lavdëroi reformat e deritanishme, miratimin e ligjeve në sferat e rëndësishme, por përsëriti se tani nevojitet që vendi të fokusohet në implementimin e tyre. Punën që na pret Mogerini në mënyrë metaforike e krahasoi me video-lojë ku kalohen nivele me detyra të reja, ndërsa qëllimi dhe shpërblimi i vërtetë në këtë lojë e cila është, thotë, gjithçka përveç lojë është përmirësimi jetës së qytetarëve.

“Kjo është esenca. E di se procesi i integrimit në BE është i përmbushur me shumë procedura dhe kushte të cilat duhet të plotësohen, por në fund reflekton në transformimin e shoqërisë dhe standardeve të cilat qytetarët tuaj dëshirojnë t’i shohin se si plotësohen në përditshmërinë e tyre. Bëhet fjalë për vlera evropiane, zhvillim të mirë të ekonomisë, tregtisë, mënyrës në të cilën punojnë institucionet, qeverisja e së drejtës, cilësia e jetës… Nga siguria deri tek mundësitë për të rinjtë. Kjo është ajo që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët”, tha përfaqësuesja e lartë e BE-së.

Niveli i ardhshëm i video lojës, shtoi ajo, është ruajtja dhe vazhdimi i reformave të cilat zhvillohen në mënyrë të shkëlqyer, por procesi duhet të vazhdojë jo vetëm përmes sjelljes së ligjeve por, thotë edhe me plotësimin e tyre. Duke shprehur bindjen se kjo punë do të vazhdojë të sjellë rezultate, ajo tregoi edhe për hapat e ardhshëm duke theksuar për Këshillin e BE-së në qershor ku do të sillen vendime.

Vlerësoi se është bërë hap historik përpara me marrëveshjen me Bullgarinë me të cilën është zgjidhur një prej çështjeve bilaterale dhe shprehu bindjen se edhe negociatat me Greqinë do të çojnë drejt zgjidhjes së kontestit për emrin, që do t’i kënaq të dyja palët dhe do të jetë bazë për bashkimin e ardhshëm në kontinentin evropian.

“Gjithmonë i shmangem asaj të flas për zgjerim, dua të flas për ribashkim. Kemi potencial të jemi të shpejtë në procedura të jemi të suksesshëm. E di se edhe ju besoni në atë të lëvizim shpejtë drejtë anëtarësimit në BE. Investoni në unitetin tuaj, në institucionet e juaja demokratike në talentin e qytetarëve veçanërisht tek personat më të rinj dhe aspiratat dhe dëshirat e tyre të bashkohen në BE. Ky është përfitim për ju por edhe për ne. E njëjta do të njihet nga Brukseli dhe BE-ja. Është koha të fillojmë të vrapojmë së bashku, të vraponi me njëri-tjetrin me fqinjët tuaj dhe jam e bindur se kështu do të arrini larg”, porositi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Mogerini.

Comments are closed.