Politikanët të mos luajnë me zjarrin lidhur me konfrontimin ndëretnik, jam e shqetësuar për gjendjen në Shkup, por shoh potencial për zgjidhjen e krizës, siç është seanca e parlamentit dhe përzgjedhja e spikerit. Këto janë fjalët e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federika Mogerini, lidhur me diskutimin e Këshillit të sotëm të Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian për Republikën e Maqedonisë, njofton korrespondenti i MIA-s nga Brukseli.
Vazhdimisht duke përdorur nocione si “Shkupi” ose “ky vend”, Mogerini asnjëherë nuk e përdori referencën për shtetin maqedonas, e lëre më emrin kushtetues, por dërgoi mesazhe deri tek “politikanët në Shkup” që kriza politike dhe institucionale të mos shndërrohet në një përleshje ndëretnike.
“Nuk do të jap detaje se çfarë tha ndonjë ministër në takimin e sotëm, por mund të them se në përgjithësi të gjithë ministrat i mbështetën fuqishëm mesazhet që i shpreha në Shkup, Gjegjësisht, unë atë e shpreha edhe në takimet me presidentin dhe me liderët e tjerë politik, por edhe publikisht, jo vetëm në emër të BE-së por edhe në emër të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Sa jam e shqetësuar? Jam. Por, jam duke tentuar të mësoj të shkoj mbi shqetësimin dhe të shoh potencial për zgjidhjen e krizës politike dhe institucionale, pasi që ajo me të cilën po ballafaqohet Shkupi është krizë politike dhe institucionale, e cila jam e brengosur se mos po shndërrohet në krizë ndëretnike”, theksoi Mogerini në konferencën për shtyp të Këshillit të sotëm.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së dërgoi, siç tha mesazh kryesor deri tek politikanët në Shkup.
“Mos të luajnë me zjarrin dhe konfrontimin ndëretnik i cili do ta mbërthejë vendin. Ka instrumente për zgjidhje, siç është maturia e presidentit, kapaciteti i parlamentit për të vazhduar me zgjedhjen e spikerit dhe zhbllokimi i gjendjes për krizën institucionale dhe politike të menaxhohet me instrumentet të cilat i ka Shkupi, pa ndërhyrje. Normalisht, miqtë mund të brengosen për gjendjen dhe të ardhmen e partnerëve. Besojmë se ka mundësi që të dilet nga kriza institucionale. Ka resurse për këtë në Shkup, ku kam pasur këmbim të sinqertë dhe konstruktiv për këtë me të gjithë liderët politik në parlament dhe me presidentin. Shpresoj se maturia do të mbizotërojë”, porositi Federika Mogerini.
Shefat e diplomacive të vendeve të BE-së, në Këshillin e sotëm të BE-së nuk sollën konstatim lidhur me debatin për Ballkanin Perëndimor dhe vendet e rajonit, prandaj atë që e transmetoi Mogerini, si dhe disa prej ministrave paraprakisht, janë vetëm mesazhe që në emër të Bashkimit Evropian iu dërguan rajonit.