Përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederika Mogerini me takimin me përfaqësuesit e sektorit OJQ, pasdite e filloi serinë e planifikuar të bisedimeve në Shkup.
Siç informuan nga Komisioni Evropian, në Maqedoni ajo do të takohet me presidentin Gjorge Ivanov (16:00), me liderët e partive politike përfaqësuese në Kuvendin e Maqedonisë (15:00), si dhe me studentët që marrin pjesë në “Erazmus” programin. “Për Bashkimin Evropian, puna me vendet e Ballkanit Perëndimor, rajoni që është në zemër të Evropës, është prioritet kyç. Punoj për të parë secilin nga partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor si përparon në rrugën e reformave drejt Bashkimit Evropian, në mënyrë që të sigurohet se ky proces është i domosdoshëm. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore mbeten me rëndësi thelbësore në këtë kontekst”, theksoi Federika Mogerini para fillimit të mini-turneut të saj në Ballkan.
Mogerini në kuadër të mini turnesë ballkanike, pasdite arriti për vizitë në Shkup, pas takimeve që i kishte në Podgoricë. Mogerini, edhe pse ishte paraparë, nuk udhëtoi në Bosnje e Hercegovinë për shkak të mjegullës në aeroportin në Sarajevë. Për shkak të arritjes së parakohshme të Mogerinit në Shkup, takimet e planifikuara do të mbahen më herët nga e planifikuara. Është planifikuar që nesër Mogerini do të jetë në Beograd, ku do të takohet me presidentin serb Tomisllav Nikoliq, kryeministrin Aleksandar Vuçiq dhe liderë të tjerë politik. Më vonë të njëjtën ditë do të shkojë në Tiranë, ku do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama dhe përfaqësues të partive parlamentare.
Të shtunën, më 4 mars, Federika Mogerini do të qëndrojë në Kosovë, ku në Prishtinë do të takohet me presidentin kosovar, Hashim Thaçi, me kryeministrin Isa Mustafa dhe përfaqësues të tjerë politikë, ndërkaq do ta vizitojë edhe Mitrovicën. Pas kësaj vizite në vendet e Ballkanit Perëndimor, Federika Mogerini pritet të bëjë raport për gjendjet në rajon, i cili më pas do të shqyrtohet në Këshillin e punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, të hënën, ndërkaq do të jetë edhe temë e Samitit të Këshillit Evropian të caktuar për më 9 dhe 10 mars.