Përfaqësuesja e lartë për Politikën e Jashtme të BE-së Federika Mogherini përshëndeti marrëveshjen e arritur mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras dhe njoftoi se do të udhëtojë në rajon për të nënshkruar marrëveshjen.
Ajo i mirëpriti përpjekjet e dy kryeministrave për vendosmërinë dhe lidershipin e tyre në arritjen e një marrëveshjeje historike.
“Ky sukses i takon udhëheqësve të të dy vendeve dhe ekipeve të tyre, por mbi të gjitha qytetarëve të të dy vendeve dhe Evropës. Procesi i negociatave të udhëhequra nga OKB, ndërmjetësimi i Nimicit dhe mbështetja e fuqishme e BE-së është një shenjë e qartë e forcës së diplomacisë multilaterale, dialogut, respektit dhe vullnetit për të gjetur zgjidhje ku të gjithë janë fitimtarë edhe për çështjet më të vështira. Së bashku, duhet të përdorim mundësinë që është gjerësisht e hapur për t’u bashkuar dhe për të konsoliduar erërat e paqes dhe bashkëpunimit në rajon. Perspektiva e BE-së në Ballkan, e konfirmuar kohët e fundit në samitin e Sofjes, mbetet forca më e fortë stabilizuese për rajonin dhe ne kemi interes dhe përgjegjësi për ta përdorur mirë atë” njoftoi Mogerini.