Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federika Mogerini, ka ripërsëritur mesazhin e Brukselit se demarkacioni me Malin e Zi mbetet kusht i pandryshuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Këto komente, Mogerini i ka bërë në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
“Propozimi i Komisionit Evropian ishte shumë i qartë. Janë dy kushte të cilat duhet të plotësohen para se të bëhet liberalizimi i vizave”, ka thënë Mogerini. “Këto dy kushte janë që Kosova ta përmirësoj luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku ka përparime dhe kushti i dytë është ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, ku që nga vizita e ime e fundit vitin e kaluar nuk ka pasur përparime”, ka thënë Mogerini duke shtuar se nëse Kuvendi e voton demarkacionin,BE-ja do të lëvizë shumë shpejt në procesin e liberalizimit të vizave.
Mogerini theksoi se ka ardhur koha që të ratifikohet Marrëveshja me Malin e Zi dhe kjo do ta zhbllokoj liberalizimin e vizave. Ky është vendim në duart e Kuvendit të Kosovës, ka thënë ajo. Mogerini u bëri thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur janë në pyetje interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndër partiak dhe të gjejnë rrugën përpara.
“Besoj që partitë të gjejnë një formë pajtimi dhe ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Populli i Kosovës e dëshiron liberalizimin dhe nuk e meriton mungesën e konsensusit për liberalizimin”, është shprehur zyrtarja e lartë e BE-së. Mogerini e ka përshëndetur gjithashtu angazhimin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Ajo tha se dialogu mbetet formë e pazëvendësueshme për normalizimin e raporteve midis dy vendeve.
Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka kërkuar ndihmën politike Mogerinit dhe Bashkimit Evropian për të shtrirë ndikimin tek opozita që ta mbështes demarkacionin me Malin e Zi. Njëherësh ka kërkuar edhe shtimin e presioneve politike mbi përfaqësuesit serbë, që të kthehen në institucione. Mustafa tha se te kriteri i dytë, që ka të bëj me luftimin e krimit dhe korrupsionit, Kosova ka shënuar përparime të dukshme.
“Kosova është e përcaktuar në rrugën e saj evropiane”, ka thënë Mustafa, duke shprehur bindjen se një ditë edhe Kosova do të jetë shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Sa i përket dialogut me Serbinë, ai ka ritheksuar se mbetet i përkushtuar që ky proces të vazhdoj.
“Ne e shohim dialogun me vendet fqinje, edhe me Serbinë si alternativë të pazëvendësueshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimin e proceseve në Ballkan dhe Evropë, përkundër disa kundërshtimeve që i kemi nga opozita”, ka thënë Mustafa. Mustafa tha se ka kërkuar mbështetjen e Brukselit që proceset të ecin më shpejt, duke përfshirë edhe kërkesën e BE-së drejtuar Beogradit që të ndalë ndikimin te përfaqësuesit serbë, në mënyrë që ata të kthehen në institucionet e Kosovës.
Në anën tjetër, Mogerini ka deklaruar se kjo nuk ishte vetëm një vizitë e radhës në Ballkan, i cili po i ekspozohet tensioneve. “Është me rëndësi që të sjellim këtu në rajon mesazhin e BE-së që të vazhdoni drejt rrugës evropiane. Ky mesazh vlen për gjithë rajonin, pra edhe për Kosovën”, ka deklaruar ajo duke përmendur se Kosova duhet të vazhdoj shtegtimin evropian, kurse BE-ja duhet ta mbështes këtë rrugëtim.
Paraprakisht, Mogerini ka pasur takime të veçanta në Prishtinë me presidentin Hashim Thaçi dhe kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli. Ajo ka nisur dhe një takim me përfaqësuesit e partive parlamentare, përfshirë edhe opozitën.
Në agjendën e dërguar nga Zyra e BE-së, konfirmohet se ajo do të vizitojë urën e Mitrovicës, ku kohët e fundit kishte zhvillime dramatike në lidhje me ndërtimin e parkut mes pjesës jugore dhe veriore të qytetit. Aty, Bashkimi Evropian është i përfshirë në projektin për lëvizjen e lirë mbi dhe përreth urës kryesore mbi lumin Ibër. Mogerini në kuadër të një turneu që zhvilloi në vendet e Ballkanit Perëndimor pati vizitë në Serbi, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Me vizitën e sotme në Kosovë, ajo përmbyll turneun ballkanik.