Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Evropian ka dënuar aktin e dhunës të bërë sot në ambientet e kuvendit të Maqedonisë duke bërë thirrje që organet e rendit të marrin masa dhe të sigurojnë anëtarët e Parlamentit. “Jemi të shqetësuar me zhvillimet dhe dhunën e realizuar sot në ambientet e kuvendit të Maqedonisë dhe sulmin ndaj anëtarëve të kuvendit, ministria e brendshme dhe policia duhet urgjentisht që të marrin masa të sigurojnë anëtarët e kuvendit”, thuhet kështu në letrën e publikuar nga KE-ja. “Demokracia duhet të veprojë, ashtu sic jemi informuar për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentar ne kemi marrë notë pozitive për zgjedhjen e tij. BE-ja konsideron se dialogu politik në institucione është rruga e vetme që duhet ndjekur dhe urgjentisht partitë politike dhe aktorët politik të bëjnë konstituimin e institucioneve të vendit si një akt demokratik. Maqedonia është shtet kandidat i BE-së dhe BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me parlamentin në reformat e nevojshme që të lëvizë shtetin në rrugën euroatlantike”, thuhet mes tjerave në reagimin e lëshuar nga Mogerini.