Luka Modriç ka pranuar në një intervistë të dhënë për revistën franceze “France Football” se pakkush në grupin e lojtarëve të Real Madrid e priste largimin e Kristiano Ronaldos dhe të Zinedin Zidan. Ai ka shpjeguar se në momentin kur ishte hapur lajmi, sidomos për portugezin, futbollistët kishin filluar edhe të vinin baste për të, të bindur se do të qëndronte.
“Nuk e prisja largimin e asnjë prej tyre. Nuk e mendoja se Zidan do të dëshironte të largohej, e njëjta gjë edhe për Kristianon. Ndaj kur filluan të dilnin zërat për Kristianon, filluam të vinim baste mes nesh në dhomat e zhveshjeve dhe ishim të sigurt se do të qëndronte. Por në fund gjithsecili bën zgjedhjet e tij në jetë”, tha kroati.
Modriç ka një respekt të jashtëzakonshëm për Zidan, aq sa i pyetur se kush do të ishin tre lojtarët përkrah të cilëve do të kishte dashur të luante, nuk ka ngurruar të përfshijë edhe francezin në zgjedhjet e tij. “I pari është Boban, idhulli im në kombëtaren kroate. Pastaj me Zidan, të cilin kisha fatin që ta kisha edhe trajner dhe me të cilin përjetuam momentet më të bukura të historisë së Real Madrid, përfshirë tre Ligat e Kampioneve. Shpeshherë stërvitej me ne dhe ishte mbresëlënëse eleganca dhe lëvizjet e tij në fushë. Do të kisha dashur shumë të kisha qenë një ditë shok skuadre me të. Pastaj i treti është Ronaldo “Fenomeni””, shpjegoi Modriç.