Shkup, 4 tetor – Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, mori pjesë në Takimin e donatorëve kushtuar arsimit, punësimit dhe politikës sociale.
“Mbështetja e Delegacionit të Bashkimit Evropian dhe Fondacionit të Trajnimit Evropian është me rëndësi të madhe në procesin e përmbushjes së përcaktimeve dhe synimeve strategjike në kontekst të eurointegrimit të Republikës së Maqedonisë”, pohoi ministri Ademi, duke shtuar se ato bëjnë përpjekje me qëllim të vazhdimit dhe përforcimit të procesit participues dhe koordinimit të aktiviteteve në kuadër të formimit dhe arsimit profesional. Konkretisht, sikurse theksoi Ademi, modernizimi i arsimit profesional dhe formimit përmes investimit me plan në një sistem efikas dhe efektiv paraqet sfidë, e cila në vazhdimësi duhet t’u përgjigjet nevojave të tregut të punës dhe përshtatjes së inovacioneve.
“Me kompetenca të zhvilluara për inovacione, sipërmarrësi, mendim kritik, zgjidhje të problemeve, të mësohet se si të mësohen dhe zbatohen informacionet dhe shkathtësitë e reja dhe si të zbatohen në situata praktike, nxënësit shumë më lehtë dhe në mënyrë më efikase do t’u përgjigjen nevojave të tregut të punës”, ka shtuar ministri Ademi, duke theksuar se Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Qendrën për Formim dhe Arsim Profesional gjatë përgatitjes së përcaktimit të prioriteteve në formimin dhe arsimin profesional dhe arsimin e të rriturve i ka shqyrtuar të gjitha aktivitetet e realizuara dhe ato që janë në rrjedhë e sipër.
Sipas Ademit, një nga prioritetet më të rëndësishme, për periudhën që do të jetë në fokus në të ardhmen, është aplikimi i konceptit për Qendra rajonale për formim dhe arsim profesional. Në bashkëpunim me Delegacionin e Bashkimit Evropian, vendosja e këtyre qendrave është planifikuar në: rajonin Verilindor, rajonin e Pollogut dhe në rajonin Jugperëndimor.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës në kuadër të këtyre përcaktimeve do të sigurojë harmonizimin e politikave arsimore me politikat ekonomike të vendit, si: politika për zhvillimin e barabartë rajonal, politika industriale, procesi i përgatitjes së strategjive nacionale dhe rajonale për specializim të mençur dhe aktivitete tjera nacionale si pjesë e përpjekjeve të Qeverisë.