Në prag të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Parlamenti ka miratuar Rezolutë dhjetë vjeçare për modernizimin e ARM-së. Nga Ministria e Mbrojtjes për gazetën KOHA thonë se tanimë është moment që të gjitha strategjitë e deritanishme deklarative ti vëmë në praktik, duke i transformuar në norma dhe akte ligjore
Destan JONUZI
Shkup, 29 gusht – Parlamenti i ka dhënë dritë jeshile planit dhjetë vjeçar (2019-2028) për një Armatë moderne dhe efikase të një vendi anëtarë të NATO-s. “Ministria e Mbrojtjes dhe Armata për herë të parë në historinë e deritanishme të angazhimeve për anëtarësim në NATO, këtë vit do ta kenë sfidën më serioze që të vë në implementim norma dhe akte të cilat ndoshta para 10 viteve kanë qenë të theksuara vetëm deklarativisht nëpër dokumente të caktuara strategjike. Këtë e theksojmë për arsye se jemi në prag të anëtarësimit të vendit në NATO dhe detyrimisht duhet që deklarimet t’i transformojmë në angazhime, akte e norma konkrete. Duhet të përballemi me të gjitha sfidat dhe ti mënjanojmë të gjitha anomalit në sistemin e përgjithshëm të funksionimit të Armatës, që nënkupton edhe realizimin e detyrave dhe obligimeve konkrete që janë pjesë e dokumentit të miratuar”, deklaruan nga Ministria e Mbrojtjes për gazetën KOHA.
Ky dokument paraqet një vazhdimësi e miratimit të vendimeve konsensuale që lidhen me integrimin e vendit në NATO, thotë zëvendës Ministri i Mbrojtjes, Bekim Maksuti. Sipas planit shton ai, janë paraparë edhe aktivitete konkrete për modernizimin e Armatës. “Ky dokument na obligon që angazhimet deklarative ti vëmë në praktik. Detyrat dhe obligimet konkrete janë pjesë e këtij dokumenti strategjik. Modernizimi i Armatës, nënkupton furnizimin me pajisje moderne, por ky furnizim duhet të jetë i kompletuar, pajisje, servisim etj., e deri te trajnimi me menaxhimin me të njëjtat. Në këtë mënyrë do të përforcohen kapacitetet dhe resurset njerëzore në Ministrin e Mbrojtjes dhe Armatë. Infrastruktura është një nga kushtet kryesore për anëtarësim në NATO”, deklaroi Maksuti. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka dorëzuar edhe kërkesë për nominim të Maqedonisë së Veriut që të jetë nikoqir i Konferencës së NATO-s për informacione dhe komunikime në vitin 2020, si një nga ngjarjet më të mëdha që NATO e organizon gjatë vitit.
Siç mëson gazeta KOHA, kandidatura është konfirmuar dhe se nga Ministria e Mbrojtjes presin përgjigje pozitive për shkak të reputacionit shkëlqyes të Maqedonisë së Veriut dhe pritjeve pozitive që deri në fund të vitit të anëtarësohet në NATO. “Në rast se organizohet kjo Konferencë në Maqedoninë e Veriut në vitin 2020, atëherë përveç asaj që ngjarja do të mbështet nga NATO, do të paraqet edhe një kontribut të veçantë për komunikimin strategjik të NATO-s me Maqedoninë e Veriut”, thonë nga Ministria e Mbrojtjes për KOHA. Në këtë drejtim është edhe vendimi i fundit i Qeverisë i cili e obligoi Ministrinë e Financave që me rebalanc të Buxhetit për këtë vit të sigurojë mjete për blerjen e hapësirave në të cilat do të vendoset misioni në selinë e re të NATO-s në Bruksel.
Në mbledhjen e rregullt të 151-të, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e shqyrtoi dhe miratoi Informatën dhe propozimin e ri për vendosje hapësinore të Misionit të Republikës së Maqedonisë së veriut në selinë e re të NATO-s në Bruksel me anë të blerjes. Në pajtim me vendimet e miratuara rreth kësaj pike, Qeveria e RMV-së e detyroi Ministrinë e Financave që me rebalancin e buxhetit për vitin 2019 të sigurojë mjete buxhetore në shumë prej 3.116.000 euro, prej të cilave 2.316.000 euro për pagesë të njëfishtë ndaj NATO-s në emër të blerjes së hapësirave për Misionin e RMV-së pranë NATO-s, ndërsa 800.000 euro për adaptime për pagesë në këste, me ç’rast me buxhetin e ri për vitin 2020 të sigurojë mjete buxhetore në shumë prej 500.000 eurove për përfundim të pagesës në emër të adaptimeve, si dhe 120.000 euro për shpenzime komunale për vitin 2020, përfshirë edhe 7.000 euro për shpenzime për mirëmbajtje të pajisjes së TI-së për vitin 2020”, kumtoi shërbimi qeveritar për shtyp në Shkup.