Nga Ministria e Bujqësisë thonë se presim shfrytëzimin maksimal të mjeteve falë angazhimit gjithëpërfshirës ngjashëm me thirrjen e parë ku me një përkushtim të madh u nënshkruan 932 kontrata të vlefshme 18 milionë euro. Kompanitë me këto mjete do të mund të ndërtojnë apo të rikonstruojnë objekte për ushqimin e kafshëve, hambarë, kapacitete për ftohje, paketim të prodhimeve bujqësore
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 10 janar – Bizneset kanë afat deri më 29 janar, ndërsa fermerët deri më 9 shkurt që të aplikojnë për masat e ndryshme në thirrjen e re për shfrytëzimin e mjeteve IPARD 2 të vlefshme 11.8 milion euro. Nga Ministria e Bujqësisë thonë se ekziston mundësia që thirrja për bujqit të zgjatet edhe për dy javë apo deri më 23 shkurt, ndërsa totali i vlerës së IPARD 2, për të cilin do të ketë edhe disa thirrje publike është afër 25 milionë euro. Pritet shfrytëzim maksimal i mjeteve falë angazhimit gjithëpërfshirës, ngjashëm me thirrjen e parë ku me një përkushtim të madh u nënshkruan 932 kontrata të vlefshme 18 milionë euro, shkruan gazeta KOHA.
“Presim një shfrytëzim maksimal të këtyre mjeteve, për çka do të ndihmojë edhe senzibilizimi i shfrytëzuesve përmes fushatës 18 mujore në mbi 90 vendbanime, si dhe 6 punëtori dhe 3 forume të mëdha. Njëherazi presim të rritet edhe numri i aplikimeve, ndërsa në thirrjet e ardhshme të rritet edhe shfrytëzimi, për shkak se tërë vitin 2019 në fokus do të kemi informimin e të gjithë të interesuarve për shfrytëzimin e tij”, thotë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski dhe njofton se janë përforcuar edhe kapacitetet për pranimin dhe përpunimin e aplikimeve.
Nga ana tjetër, numri një i Agjencisë për Përkrahje Financiare në Bujqësi, Nikollçe Babovski, pret që me këto mjete me vlerë prej afër 25 milionë euro, të modernizohet bujqësia vendore.
“I inkurajoj të gjitha ekonomitë bujqësore dhe kompanitë vendore të përpunimit dhe kultivimit të prodhimeve bujqësore që të aplikojnë për shfrytëzimin e mjeteve të IPARD 2 që të ndërtojnë kapacitete të reja , apo të modernizojnë ato ekzistuese. Qëllimi është të arrihen standardet evropiane dhe të krijohet prodhim final i Maqedonisë me vlerë të shtuar”, thotë Babovski. Sipas tij, shfrytëzimi i këtyre mjeteve nënkupton impuls të ri për buxhetin e shtetit dhe rritjen Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Kompanitë me këto mjete do të mund të ndërtojnë apo të rikonstruojnë objekte për ushqimin e kafshëve, magazina për ushqim, silosë, hambarë, oranzheri, kapacitete për ftohje, kalibrim dhe paketim të prodhimeve bujqësore. Ekziston mundësia edhe e furnizimit me makineri dhe pajisje të ndryshme për bujqësi, sistemet për vaditje pikë për pikë, por jo edhe për traktorë për shkak se të hollat në buxhet për këtë dedikim janë shfrytëzuar paraprakisht. Me përkrahjen e investimeve në industrinë përpunuese të mbështetur me fondet evropiane, hapen mundësi për shartimin e prodhimeve dhe teknologjive të reja, përforcimin e zinxhirit për furnizim me ushqim ndërmjet përpunuesve dhe prodhuesve primar, apo zgjidhjen e problemit me tepricën e prodhimeve bujqësore. Me këto mjete mund të furnizohet edhe me bimë shumëvjeçare si pemë të ndryshme, hardhi rrushi etj. Nga ana tjetër, mundësohet edhe diverzifikimi apo shpërndarja e bizneseve në mjediset rurale, hapja e bunarëve, nxitja e zhvillimit të veprimtarive shërbyese, si dhe mundësohet përkrahje për firmat e vogla në veprimtaritë ushqimore dhe jo-ushqimore, dhe zanateve në favor të mjediseve rurale. (koha.mk)