Uashington, 4 maj – Kompania farmaceutike amerikane “Moderna” premtoi se do të sigurojë 500 milionë doza të vaksinës së saj kundër Kovid-19 për programin Kovaks.
Kovaksi është nismë globale për ndarjen e vaksinave nën organizim të Kombeve të Bashkuara.
Kompania bëri të ditur se do t’i sigurojë 34 milionë dozat e para deri në fund të vitit, ndërsa pjesën tjetër do të dorëzohen gjatë vitit 2022, me “çmim sa më të ulët të mundshëm”.
Kovaksi ka për qëllim të shpërndajë 2 miliardë doza të vaksinave për vendet e varfra në vitin 2021, por deri tani ka siguruar vetëm 49 milionë.