Pa reforma rrënjësore në ekonomi dhe korrupsionin aktual, burokraci dhe joefikasitet të sektorit publik do të zvogëlohet rritja e ekonomisë në vitet e ardhshme, shkruan “Modern Diplomacy”
Shkup, 22 prill – Pavarësisht popullsisë modeste prej dy milion banorësh, Maqedonia vazhdimisht është në faqet e para të mediave në rajon, si dhe në vendet e BE-së, shpesh për shkak të kontesteve të pazgjidhura me vendet fqinje, por edhe për shkak të situatës ekonomike. “Modern Diplomacy”, platforma për vlerësimin e çështjeve komplekse ndërkombëtare, shkruan se integrimi evropian i Maqedonisë do të varet nga politika ekonomike, duke përmendur sfidat me të cilat përballet vendi si kriza politike, rënia e eksporteve, rritja e importeve, emigrimi masiv, produktiviteti i ulët, moszbatimi i projekteve të infrastrukturës, burokracia dhe joefikasiteti në sektor, transmeton gazeta KOHA.
“Embargoja tregtare e Athinës e vendosur për Maqedoninë e Veriut në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar shënoi fillimin e një ngërçi 27-vjeçar midis dy vendeve, i cili në fund ndaloi pranimin e Maqedonisë në BE. Problemi tjetër që u paraqit është përkeqësimi i marrëdhënieve me Bullgarinë. Thellimi i këtyre problemeve do të ngadalësojë reformat dhe do të pengojë investimet”, shkruan “Modern Diplomacy”. Prandaj, nga aty thonë se një problem shtesë është edhe ajo se tregu i Maqedonisë është kryesisht i varur nga kërkesa e jashtme që kriza ka shteruar. “Kërkimi dhe zhvillimi janë thelbësore për krijimin e vendeve të punës me pagë të lartë, rritjen e produktivitetit dhe rritjen e ekonomisë përmes inovacionit dhe konkurrencës në treg”, thuhet në shkrimin e “Modern Diplomacy”. Hulumtuesit e kësaj platforme shtojnë se Maqedonia po lufton me emigracionin masiv, së bashku me normën në rënie të rritjes natyrore të popullsisë, e cila zvogëlon kapitalin njerëzor.
“Pa reforma rrënjësore në ekonomi, me korrupsionin aktual, burokraci dhe joefikasitet të sektorit publik – do të zvogëlohet rritja e ekonomisë në vitet e ardhshme. Për fat të mirë, BE mund të jetë përgjigja për problemet ekonomike të Shkupit. BE pritet të ndajë 3.3 miliardë euro vendeve të Ballkanit Perëndimor në mënyrë që të fillojnë rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë. Pakoja megjithatë vjen me porosi të bashkangjitura, që vendit do t’i duhet të përshpejtojë përparimin drejt pajtueshmërisë rregullatore me BE-në”, shkruan “Modern Diplomacy”. Maqedonia ka nevojë për ritme të larta të rritjes dhe vetëm në atë mënyrë mund të afrohet me standardin e BE-së. Ekspertët ekonomikë thonë se përparësitë duhet të synojnë rritjen dhe mbështetjen e prodhimit, eksporteve, investimeve, qasjes në financat e korporatave, produktivitetit të fuqisë punëtore përmes përmirësimit të vazhdueshëm të procesit arsimor, si dhe forcimit të konkurrencës dhe zvogëlimit të ekonomisë së zezë. (koha.mk)