Sipas ndryshimeve në Ligjin për Avokatin e Popullit, të miratuara nga Parlamenti në muajin shkurt, mbikëqyrja mbi punën e efektivëve të policisë do të bëhet nga Avokati i Popullit, ndërsa në prokurori dhe gjykatë do të themelohen njësi të specializuara për hetimin e punonjësve të policisë në rastet e tejkalimit të kompetencave dhe ushtrimin e dhunës
Evis HALILI
Shkup, 27 prill – A duhet kontroll i jashtëm qytetar mbi punën e policisë? Ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar në Parlament treguan se nëse do të ekzistonte kontrolli i pavarur mbi Ministrinë e Punëve të Brendshme kjo situatë nuk do të kishte ndodhur, shkruan gazeta KOHA. Sipas ndryshimeve në Ligjin për Avokatin e Popullit, të miratuara nga Parlamenti në muaji shkurt, mbikëqyrja mbi punën e efektivëve të policisë do të bëhet nga Avokati i Popullit, ndërsa në prokurori dhe gjykatë do të themelohen njësi të specializuara për hetimin e punonjësve të policisë në rastet e tejkalimit të kompetencave dhe ushtrimin e dhunës.
Në debatin e organizuar të premten me temë “Avokati i Popullit mes kompetencave speciale dhe kapaciteteve: Kontrolli i jashtëm civil mbi punën e policisë”, ka pasur vërejtje lidhur me modelin e propozuar, të kontrollit të jashtëm civil ndaj policisë.
Kreu i Komitetit të Helsinkit, Gordan Kallajxhiev, ka thënë se ky nuk është modeli më i mirë, për vetë faktin që është miratuar në mbledhje me dyer të mbyllura brenda MPB, në një formë identike me modelin për ndjekjen e komunikimeve. Kallajxhiev ka vënë në dukje se fokusi i kësaj mbikëqyrje është vënë në lëndimet më të rënda, ndërsa nga ana tjetër me këtë sistem do të mbeten të paprekshme rastet me policinë me të cilat përballen çdo ditë qytetarët.
“Edhe pse kjo çështje u hap në mënyrë shumë cilësore, ne po e mbyllim shumë shpejt, me mangësi në vendimet ligjore”, ka thënë Kallajxhiev.
Avokati i Popullit, Ixhet Memeti ka pasur vërejte jo vetëm lidhur me abuzimet e punonjësve të policisë me detyrën, por edhe me procedurat e munguara për hetimin e këtyre rasteve nga prokuroria. Ai i ilustroi me rastet “Sopoti” dhe dy të tjera, ku efektivë të policisë kanë dhunuar një të burgosur dhe një rast kur kanë keqtrajtuar një nxënës për të trembur të tjerët që të mos protestojnë kundër testimit ekstern.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka dhënë një pasqyrë të punës dhe organizimit të brendshëm të këtij institucioni. Ai ka bërë me dije se gjatë dhjetë muajve të kaluar 33 punonjës akuzohen për 36 vepra penale, mes të cilave edhe për keqpërdorimin e detyrës, dhunë dhe shantazh.
Ndërsa ndaj 291 punonjësve janë marrë masa disiplinore. Sipas tij, në këtë institucion ka ekzistuar një grup politikisht i okupuar që merrej me fshirjen e gjurmëve.
“Dhe prandaj kemi pasur situata për të cilat nuk mund të gjejmë fakte dhe të kemi informacione relevante, pasi që faktet ose janë asgjësuar, ose më nuk janë të tilla, ashtu si në kohën kur është kryer vepra penale. Ky sistem më nuk mund të vihet në lojë”, ka thënë ministri, duke iu referuar reformave që kanë nisur.
Të pranishmit në debat i kanë apeluar për të miratuar sa më shpejt ndryshimet në Ligjin për Prokurorinë dhe gjyqësorin, aty ku edhe pritet të formohen njësitë e specializuara për të luftuar këto fenomene abuzive. (koha.mk)