Nga Federata e Fermerëve presin të gjendet një zgjidhje që do të mbulojë me një dokument të përshtatshëm ose të raportojë të gjitha format e shitjeve si blerës të regjistruar, shitje nga fermeri te fermeri, në treg, që do të mundësojë që fermerët të mos kenë problem me fitimin e subvencioneve
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 20 shkurt- Çdo i treti fermer i regjistruar në vend, apo afër 80 mijë bujq janë shfrytëzues të përkrahjes shtetërore apo subvencioneve. Një herësh në vitet e kaluara, bujqësia ka fituar mbi 100 milionë euro për çdo vit në emër të përkrahjes financiare nga ana e shtetit. Tani me rishpërndarjen e mjeteve synohet që pjesa më e madhe e subvencioneve të shkojë për sasitë e prodhuara. Me fjalë të tjera, me modelin e ri të propozuar, të gjithë fermerët marrin subvencionim bazë për ruajtjen e tokës në gjendje të punueshme. Ata fermerë që prodhojnë kultura ose produkte të rëndësishme, pra kultivojnë tokën, arrijnë rendiment dhe shitje, marrin një subvencion shtesë. Nga partia opozitare VMRO-DPMNE pretendojnë se me modelin e ri do të shkurtohen një pjesë e subvencioneve për bujqit, ndërsa shtojnë se përparësi do të kenë kompanitë e mëdha bujqësore. Nga Federata e Fermerëve presin që të gjendet një zgjidhje lidhur me kriteret e shitblerjes. Pra, organizata që përfaqëson interesat e bujqve vlerëson se duhet gjetur një zgjidhje që do të mbulojë me një dokument të përshtatshëm ose të raportojë të gjitha format e shitjeve si blerës të regjistruar, shitje nga fermeri te fermeri, në treg, duke bërë rishikime dhe të ngjashme. Edhe nga Ministria e Bujqësisë edhe fermerët, vijnë në konstatim të përbashkët se subvencionet duhet të kenë një komponent zhvillimor dhe t’u drejtohen fermerëve të vërtetë, apo atyre që prodhojnë, shesin dhe sigurojnë jetesën nga bujqësia.
Përfaqësues të ekzekutivit thonë se me modelin e ri të subvencionimit për bujqit nuk do të shkurtohen të hollat, por ato do të ndahen sipas kritereve të reja. Një pjesë e të hollave apo 30 për qind do fitohen paraprakisht për tokë të mbjellur, ndërsa pjesa tjetër apo 70 për qind do të varet nga prodhimtaria që duhet të dëshmohet me fatura për prodhimin e dorëzuar.
Nga Ministria e Bujqësisë thonë se me pagesën e subvencioneve për sipërfaqe të tokës së punueshme pavarësisht nga lloji i kulturës bujqësore, u krijuan mundësitë për të vendosur një qasje të re në zbatimin e kontrolleve në terren, me të ashtuquajturin, monitorim të parcelës. Monitorimi, që në vendin tonë do të nisë si projekt pilot, ndërsa në shtetet evropiane fillon për herë të parë, do të nisë në një territor të caktuar pilot, dhe do të mundësojë kontrolle nëpërmjet imazheve satelitore që do të tregojnë nëse një kulture bujqësore rritet në një parcelë tokësore pa e vizituar fizikisht vetë vendin. Bëhet fjalë për incizime që do të realizohen në çdo 6-10 ditë, që do të përfshijnë edhe bujqit në sistemin kontrollues. Fillimisht ne do ta aplikojmë sistemin në një territor të caktuar pilot me tendencë që në vitet në vijim të zgjerohet në të gjithë territorin e shtetit, thotë ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikolovski.
Që nga viti 2012, në vend janë kryer kontrolle në një kampion të përzgjedhur, por me vizitë në terren. Metodat në distancë përdoren edhe nëpërmjet imazheve satelitore që merren një ose dy herë në vit për zonë në periudhën më të përshtatshme vegjetative. “Me vendosjen e monitorimit në të ardhmen, kontrolli i një kampioni të sipërfaqeve bujqësore do të zëvendësohet me monitorim të plotë të të gjitha parcelave bujqësore, ndërsa për zbulimin e kulturave është e nevojshme të përgatiten edhe shënues vegjetativ – indekse për shtetin”, thekson Nikollovski.
Gjithashtu, javën e kaluar janë paguar me kohë edhe 422.4 milionë denarë subvencione për mbi 24.000 përfituesve për kulturat bujqësore. Po stimulojmë dhe inkurajojmë prodhimin e kulturave strategjike, duke ruajtur dhe rritur prodhimin vendas, thonë nga Ministria e Bujqësisë.
Nga ana tjetër, nga partia opozitare VMRO-DPMNE, thonë se përskaj anulimit të subvencioneve për disa kultura bujqësore dhe zvogëlimit të shumës së subvencioneve për masa të caktuara, po propozohet edhe pagesa me avans me 30 për qind në vitin rrjedhës dhe 70 për qind pas dorëzimit në qendrat grumbulluese dhe përpunuese. “Ajo që është kontestuese këtu është se fermeri i zakonshëm është i kushtëzuar që të ketë një sasi minimale të prodhimit të produktit bujqësor, gjë që është joreale dhe larg e arritshme. Dhe me këtë nuk mund ta plotësojnë edhe kushtin e dytë dhe të marrin 70 për qind shtesë të shumës së subvencionit. Problem tjetër është edhe mungesa e plasmanit apo shitje të sigurt të produkteve bujqësore, që është një tjetër dëshmi se fermerët do të mbeten pa subvencion”, thotë Cvetan Tripunovski nga VMRO-DPMNE. Sipas tij, tani në vend se të rriten do të ulen mjetet e subvencionimit.
Nga dikasteri i Bujqësisë thonë se modeli i ri duhet të sigurojë një pagesë më të shpejtë për fermerët, të cilët duhet të kenë para me kohë për të filluar prodhimtarinë e re apo të mbjellat. Baza e këtij modeli është parapagesa subvencioneve, pra 30 për qind e totalit të subvencioneve fermerët t’i marrin para se të përfundojnë kontrollet administrative në Agjencinë e Pagesave. Apo, me vetë regjistrimin – do të marrin 30 për qind subvencione për të filluar prodhimin. Pjesën tjetër do ta marrin kur të dëshmojnë se e kanë dorëzuar rendimentin. Thënë ndryshe, do të lidhet subvencioni bazë me tokën e punueshme, ndërsa ato shtesë lidhen me dëshminë se janë prodhuar kultura bujqësore që do t’u dorëzohen blerësve, tregtarëve ose përpunuesve të regjistruar, ku do të përcaktohet një rendiment apo sasi minimale që duhet të arrijnë fermerët. Kjo do të thotë se nuk mund të merren subvencione për vreshtat dhe pemishtet e braktisura, për të cilat fermerët nuk kujdesen ose që mirëmbahen vetëm për të marrë subvencione. Synohet edhe eliminimi i ekonomisë gri, me faktin se nuk do të ketë subvencione shtesë për prodhimet që do të kalojnë në tregun e zi, të paregjistruar, apo grumbullues të egër, tregtarë ose përpunues. (koha.mk)