Vazhdimisht, në mënyrë të pandërprerë, gjenden arsye dhe shkaqe, që të punohet në dëmin e qytetarëve tonë. Kjo që ndodh aktualisht, është model hileqarë dhe trend i ri i mashtrimit të shqiptarëve, por që e sëmurë demokracinë dhe shoqërinë e barabartë për të gjithë qytetarët njësoj. Neve – si budallenj të papërmirësueshëm dhe si ‘njerëz që nuk vlejmë për pesë pare’ – diskriminimi na vjen si dozë-ilaçi dhe bile, pak na duket kjo
Nga Shaqir ISLAMI
Ja, si ndryshuakan kohërat! Deri dje ishte turp dhe fyerje të jesh Shqiptar; shumica nga ne vullnetarisht dhe me arsyetime nga më absurdet e ndërronin identitetin kombëtar. Shumica tjetër e fshihnin prejardhjen. Një pjesë e madhe, e gjenin rehatinë shpirtërore, duke u identifikuar vetëm me fenë: Mysliman el-Hamdulilah! Disa, janë bërë osmanlinj, disa boshnjakë dhe torbeshë, mbase identifikohen sipas fesë; ndërsa, pjesa tjetër e trungut tonë, që i përkisnin fesë së krishterë u sllavizuan, latinizuan. Identiteti Shqiptar braktiset në heshtje-varri, tinëz, por, gjithmonë duke lënë gjurmë . Shumica nga ne u europianizuan, amerikanizuan ose u orientalizuan. Pazari i shkombëtarizimit është ende i hapur; kush ku dhe kah të dojë sipas nevojës dhe dëshirës: bujrum!
Dukuria e shkombëtarizimit shpjegohet qartë me “Disonancën Kognitive” të Gjermanit Leon Festinger. Askush nuk ka faj për këtë akt të shëmtuar. Të gjithë jemi viktima të një propagande agresive dhe sistematike. Falë u qoftë të gjithëve, për shkak se janë viktima të pavetëdijshëm për bëmat e tyre. Ndonëse, nuk e bëjnë me vullnetin e tyre; vetëm janë të ndikuar dhe detyruar nga faktorë të jashtëm.
Nganjëherë, rrallë ndonjë fukara i braktisur, me një gjysmë goje,i thoshte vetit jam shqiptar. Nganjëherë të jesh shqiptar, është zordhe mbare, kështu ishin vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar. Atëherë disa patriotë – qysh moti edhe para publikut – trumbetonin me zë të lartë: “më vjen shumë mbare që jam shqiptar”. Këta ishin agjentët-provokues, që e përhapnin dhe lehtësonin procesin e shkombëtarizimit tek ata që hamendeshin ose ishin ende me dy mendje. Ky soj i njerëzve ishin bërë pishman, se i kishin pjellë të tillë dhe dorëhiqeshin nga soji, publikisht, pa i brejtur fare ndërgjegjja. Kollaj, epten kollaj, shkombëtarizohesh;vetëm pohon se më nuk i takon racës së vjetër ! Kaq duhet! Dhe mbaron puna.
Propaganda serbo-greke-turke qindravjeçare i voli frytet e punës sistematike duke e rrënuar indin dhe qelizat e identitetit shqiptar. Teknologjia e propagandës është e ndërlikuar që të kuptohet nga qytetar i rëndom; shumë, shumë i ndërlikuar. Ky proces i gjatë i luftës psikologjike ose politike – zhvillohet më shumë se një shekull e gjysmë njëtrajtësisht dhe pa ndalur asnjë çast – në mënyrë sistematike dhe të qëllimshme i dehumanizon shqiptarët me metoda dhe teknika të përsosura të propagandës, së pari duke i zhvesh nga vlerat, besimet, traditat njerëzore dhe pastaj, lehtësisht ua mbjellë dhe përforcon ndjenjën e fajit dhe turpit. Me fjalë të thjeshta, nga lufta e brendshme psikologjike që shkakton ‘Disonanca Kognitive’, e detyron njeriun të del nga lëkura e vet dhe ta rehatojë shpirtin. Përndryshe nuk ka çare. E pastaj, shumë kollaj këta individë shartohen në ndonjë trung sipas dëshirës personale dhe simpatisë për identitetin e ri. Procesi është i njëjtë si me shartimin e bimëve; tek njerëzit ndodh në pjesën psikologjike dhe jo në atë fizike.
Sot, për habi, në shtetin tonë është shfaqur një dukuri, që të jesh shqiptar është modë dhe fitimprurës. Falë kuotave etnike për punësim në administratën shtetërore, është shfaqur moda e re për t’u regjistruar në letër si Shqiptar. Mund të punësohesh me lehtësi, vetëm duhet të shkruhesh në letër “jam shqiptar”. Askush nuk të pyet, prej nga, e si, e qysh, e tek. Thjesht e mbush një formular, dhe shënon në grafën e caktuar se: jam “Shqiptar”. Dhe hop, e zen një vend pune;në të vërtetë, ia zen dikujt vendin e punës. Thënë troç, ia merr dikujt bukën e gojës! Pakica sunduese, e ka harruar tashmë, hallin e bukës së gojës. Jeton në bollëk dhe mirëqenie, dhe nuk çan trapin për hallet e tjerëve, nëse kanë ose nuk kanë ‘bukë’. Dhe nuk e çan kokën për të. Por shumica dërmuese e ndjen, bile e ndjen dhembjen dhe vuan për një copë bukë furre të fryrë me aditivë. Puna është ilaç i fukarasë.
Andaj, listat e punësimeve të para do kohe që dolën në mejdan, shfaqën një dukuri mode në mjedisin tonë të ndotur nga diskriminimi sistematik dhe institucional. Pra, çfarë-mos shejtanllëku shpiket – vetëm e vetëm të mbahet gjallë diskriminimi shtetërorë ndaj një pjese të qytetarëve të vet. Populli i shkretë me të drejtë e thotë nga përvoja e vet se, “Ujku qimen e ndërron, por huqet nuk i ndërron”. Ky shtet sikur nuk mbushet mend. “Shoqëria Për Të Gjithë” çalon sërish duke mos i mbajtur premtimet e zgjedhjeve, me paturpësi i han fjalët e thënë publikisht.
Përderisa, këta ‘patriotët tanë’ që paguhen nga paratë e taksapaguesve mjeranë dhe që rrahin gjoks për barazi dhe drejtësi – heshtin si shurdhmemecë! Ama, mbizotëron përshtypja në mbarë shoqërinë gjoja se askush nuk e lodh kokën dhe nuk mban përgjegjësi ndaj padrejtësive të llojllojshme të përditshme, me të cilat përballen qytetarët e rëndom në jetët e tyre gati se të dhjesura. Dhe më e keqja është se askush nuk guxon të flasë për padrejtësitë dhe hilet e mëdha që ndodhin ditë-për-ditë në mjedisin tonë. Fjala dhe mendimi i lirë ose shpërfillet ose ushtrohet trysni me kërcënime për të heshtur. Dhe dikush, kësaj i thotë demokraci me gojën-plotë!
Vazhdimisht, në mënyrë të pandërprerë, gjenden arsye dhe shkaqe, që të punohet në dëmin e qytetarëve tonë. Kjo që ndodh aktualisht, është model hileqarë dhe trend i ri i mashtrimit të shqiptarëve, por që e sëmurë demokracinë dhe shoqërinë e barabartë për të gjithë qytetarët njësoj. Neve – si budallenj të papërmirësueshëm dhe si ‘njerëz që nuk vlejmë për pesë pare’ – diskriminimi na vjen si dozë-ilaçi dhe bile, pak na duket kjo.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)