Kanalizimi atmosferik në këtë pjesë është i bllokuar mbi dhjetë vite. Autoritetet komunale në të kaluarën nuk treguan interes për të rregulluar këtë kanalizim prej nga qarkullojnë ujërat atmosferik dhe ato fekal nga pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës
Urim HASIPI
Tetovë, 6 korrik – Ka vite të tëra që para stacionit të autobusëve në Tetovë, nga punimet në kanalizimin atmosferik, është krijuar moçal që kundërmon erë të keqe. Me këtë fotografi, stacioni i autobusëve në Tetovë pret e përcjell dhjetëra vizitorë në ditë. Banorët dhe udhëtarët kanë frikë nga përhapja e ndonjë sëmundjeje nga kjo papastërti që mbretëron në stacion, shkruan gazeta KOHA. “Pastërtia është katastrofë, asnjë vend në botë nuk ka sikur tek ne. Tetova me mbi 200.000 banorë pa kanalizim adekuat në këtë pjesë të qytetit që është mjaft e frekuentuar, por kjo i jep pamje të keqe edhe stacionit të autobusëve edhe stacionit të trenave”, thotë një qytetar. Edhe pronarët e lokaleve në atë vend shprehen se moçali dhe kanalizimi atmosferik dëmton shumë punën e tyre.
“Më pengon shumë, sidomos për lokalin tonë, por s’kemi çka bëjmë. Ne kemi bërë intervenime disa herë dhe nuk janë marrë masa. Kanalizimi është i dëmtuar para një dekade dhe uji del jashtë gjithmonë, kurse mbeturinat mbesin këtu. Kanalizimi duhet të rregullohet, sepse kundërmon erë të rëndë”, thonë pronarët e lokaleve që gjenden në atë pjesë të qytetit. Përgjegjësit e stacionit shprehen se disa herë kanë bërë kërkesë tek autoritetet komunale.
Ndërsa nga Ndërmarrja Publike Tetova shprehen se ata janë për mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimit, por për ndërtimin e kanalizimit – përgjegjëse është Sektori për veprimtari komunale, mbrojtje të ambientit jetësorë dhe natyrës. Nga ky sektor njoftojnë se janë ndarë mjete, por kur do të fillojë punët, nuk ka një datë të saktë.
“Janë paraparë 32 milionë denarë investim me projekt ekzistues kanalizim atmosferik dhe renovim të kanalizimit fekal. Gjatësia është 700 metra kanalizim i ri”, thonë nga Sektori për veprimtari komunale. Ndryshe, kanalizimi atmosferik në këtë pjesë është i bllokuar mbi dhjetë vite. Autoritetet komunale në të kaluarën nuk treguan interes për të rregulluar këtë kanalizim prej nga qarkullojnë ujërat atmosferik dhe ato fekal nga pjesë të ndryshme të qytetit të Tetovës. Situata ende më e rëndë paraqitet gjatë verës kur në këtë pjesë kundërmon erë e rëndë si pasojë e kanalizimit të dëmtuar.
Lënia pasdore e këtij kanalizimi ka shkaktuar edhe dëme në punën e vet tregtarëve, të cilët ankohen se gjithnjë e më pak qytetarë gjatë ditës ndalojnë si pasojë e kësaj pamje të rëndë. Nga Komuna e Tetovës nuk kanë dhënë ndonjë datë të saktë se kur ky problem do të fillojë të zgjidhet, ndërsa reshjet e sivjetshme kanë qenë të shpeshta dhe kjo ka bërë që të krijohet moçal. (koha.mk)