Prodhimi i mobilieve është një nga sektorët më informalë në vend. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT mbi statistikat e ndërmarrjeve, operonin në vend 1000 të tilla, ndërsa aktorët e tregut thonë se numri i tyre është të paktën tre herë më i lartë. Sa potencial ka ky sektor për t’u zgjeruar në tregjet europiane dhe rajonale. Kriza politike po step blerjet e konsumatorëve
Për sektorin e mobilierive, informaliteti mbetet problemi kryesor, edhe pse kanë disa në listën e tyre të “shqetësimeve”. Sami Hoxha operon prej vitesh në zonën e Durrësit, ku ka një punishte zdrukthëtarie. Ai thotë se shumë pranë tij operojnë dhe një duzinë me marangozë të tjerë, të cilët janë të paregjistruar dhe nuk paguajnë taksa. Puna në të zezë, që iu mundëson kosto më të ulëta operative, i bën që të dalin me çmime më të lira, duke prishur tregun dhe duke vështirësuar punën për punishtet e licencuara.
Ai është një nga 886 njësitë prodhuese të mobilieve që operojnë në Shqipëri, sikurse raportoi dhe INSTAT në regjistrin statistikor të ndërmarrjeve. Ky ishte viti i tretë radhazi me rënie i numrit të bizneseve që operojnë në këtë sektor. Ndërsa 2015-a do të shënonte vitin me numrin më të lartë të bizneseve dhe jo rastësisht. Numri i bizneseve në prodhimin e mobilierive kërceu në 957, nga 836 që ishin një vit më parë, me një rritje prej gati 15%. 2015 përkon me vitin e aksionit anti-informalitet, ku shumë biznese që punonin në të zezë u detyruan që të regjistroheshin. Mirëpo koha dhe konkurrenca e ashpër do t’i nxirrte shpejt nga tregu, sikurse tregojnë dhe të dhënat e INSTAT.
Megjithatë, krahasuar me vite më parë, situata me informalitetin është disi më e zbutur. Ilir Linza, administrator i kompanisë së prodhimit të mobilieve FPM, të cilat tregtohen në Shqipëri nën logon Bestseller, thotë për “Monitor” se situata ka qenë më e vështirë në vitin 2001, kur ai nisi të operojë dhe pjesën më të madhe të prodhimit e kishte destinuar për tregun vendas.
Situata mbetet shqetësuese. Sipas burimeve të tij nga tregu, kryesisht nga furnitorët që tregtojnë lëndë të para për sektorin, vetëm në Tiranë operojnë mbi 3000 mobilierë.