Henrikh Mkhitaryan e ka shpëtuar Arsenalin nga humbja ndaj Wolves me një gol të vonshëm në barazimin 1-1 në Londër të dielën, si dhe është siguruar që skuadra e Unai Emeryt ta ruajnë ecurinë e pamposhtur në dhjetë ndeshjet e fundit në Premierligë. Pas dy humbjeve të para në ligë, Arsenali krijoi një ecuri fantastike duke mos u mposhtur më në nëntë takimet e radhës, ndërsa sonte Mkhitaryan realizoi gol në minutën e 86-të në barazimin 1-1 ndaj Wolves, raporton Gazeta Express. Ivan Cavaleiro e befasoi Arsenalin duke shënuar pas vetëm një çereku lojë, duke i dhënë epërsi Wolves në këtë takim. Përkundër dominimit të madh të Arsenalit, mysafirët ishin në gjendje ta ruajnë rezultatin për pjesën më të madhe të takimit. Skuadra e Emeryt kishte një dominim të jashtëzakonshëm në mbajtjen e topit, por më pak goditje drejt portës krahasuar me Wolves. Henrikh Mkhitaryan ia doli që përfundimisht ta thyejë mbrojtjen e fortë të Wolves duke shënuar në minutën e 86-të, që i dha një pikë Arsenalit. Arsenali ruan pozitën e pestë me 24 pikë, tri më pak se Tottenhami në vendin e tretë. Ndërsa, Wolves renditen në vendin e 11-të me 16 pikë.