Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin e Dibrës thonë se punësimet partiake në sferën e arsimit kanë prishur disbalancin mes numrit të nxënësve dhe numrit të të punësuarve. Sipas tyre, pikërisht këtu paraqitet problemi kryesor në mungesën e mjeteve për funksionimin e shkollave
Vjollca SADIKU
Dibër, 5 dhjetor- Shkollat fillore të Dibrës dhe çerdhja “Breshia”kanë shprehur pakënaqësi nga niveli i mjeteve, të cilët planifikohen me projekt-buxhetin e Komunës Dibër për vitin 2021, i cili planifikohet në një lartësi prej 320 milionë denarë. Në seancën e Këshillit të Komunës, përfaqësuesit e shkollave dhe çerdhes thanë se mjetet të cilët planifikohen, as nga afër nuk janë të mjaftueshme për nevojat që kanë institucionet arsimore dhe edukative. Sipas tyre, ka një ulje drastike të mjeteve, ndërsa me projekt-buxhet, mjetet e parapara do të shkaktojnë probleme me funksionimin institucioneve, meqë mjetet s’do të mjaftojnë as për rrogat e punëtorëve. Drejtoresha e çerdhes “Breshia”, Ajrie Daçi, duke reaguar në lidhje me uljen e mjeteve për më shumë se 2 milionë denarë, thotë se kjo situatë do të ndikojë negativisht në funksionimin e çerdhes “Bresha”. Sipas saj, ka një ulje të numrit të fëmijëve për shkak të pandemisë, megjithatë numri aktual i fëmijëve është afër 140. “Kjo do të thotë se ulet edhe lartësia e mjeteve që grumbullohen nga prindërit për prezencën e fëmijëve në çerdhe. Po ashtu më se shtatë muaj çerdhja në Dibër nuk funksionoi për shkak të virusit, gjë që negativisht ka ndikuar edhe në grumbullimin e mjeteve. Rritja e numrit të punëtorëve kërkon mjete plotësuese dhe jo uljen e buxhetit për më shumë se 2 milionë denarë”, ankohet drejtoresha Daçi.
Probleme me uljen e buxhetit për shkollat fillore paraqitën edhe udhëheqësit e shkollave nëntëvjeçare në Komunën e Dibrës. Drejtori i shkollës “Said Najdeni”, Burim Kaziu, i cili thotë se mjetet e dedikuara nuk garantojnë sigurinë në financimin e institucionit arsimor. Duke marrë parasysh se mjetet ndahen në përputhje me numrin e nxënësve, atëherë meqë kemi numër të shtuar të punëtorëve arsimor, nuk do të ngelin mjetet për harxhimet materiale me çka rriten edhe borxhet e shkollave. Mjetet kryesisht shfrytëzohen për rroga, thotë Kaziu. E njëjta situatë është edhe me nëntëvjeçaren “Penestia” në Dibër, ku po ashtu thonë se kryesisht mjetet harxhohen për rrogat. Për borxhet e shumta flet edhe drejtori i shkollës qendrore në fshatin Kosovrast i Poshtëm, Shania Ajrvoski. Ai thekson se borxhet nga viti në vit rriten dhe shkolla fillore “Riste Ristevski” është zhytur rëndë në borxhe. Sipas tij, me mjetet të cilët planifikohen me projekt-buxhetin 2021, do të ketë probleme të shumta gjatë vitit të ardhshëm.
Situata në institucionet edukativo-arsimore me borxhet është një problem serioz. Në drejtoritë e shkollave theksojnë se nga Ministria e Arsimit ndahen mjetet në përputhje me numrin e nxënësve, por jo edhe për numrin e arsimtarëve. Rritja e numrit të arsimtarëve viteve të fundit ka shkaktuar probleme të shumta meqë drejtpërdrejt ka ndikuar në uljen rapide të mjeteve materiale për mirëmbajtjen e shkollave, pagesën e rrymës elektrike, ujit e tjerë. Nga paraqitja e pandemisë Kovid -19 dukshëm janë shtuar harxhimet edhe për sigurimin e mjeteve dezinfektuese, mirëmbajtjen e pastërtisë gjë që ka shkaktuar telashe plotësuese për drejtoritë e shkollave. Tani, sidomos në çerdhen e Dibrës, tretmani në lidhje me masat kundër Kovoid-19 kushton më shtrenjtë, por mjetet nuk mjaftojnë. Shkollat reagojnë për këto borxhe dhe thonë se situata nga viti në vit, po keqësohet. Po ashtu, shpeshherë ndodh që për shkak të borxheve të mëdha, sidomos për rrymën elektrike – të intervenojë pushteti vendor duke paguar faturat për disa nga shkollat. Përfaqësuesit e opozitës në Këshillin e Dibrës thonë se punësimet partiake në sferën e arsimit kanë prishur disbalancin mes numrit të nxënësve dhe numrit të të punësuarve. Sipas tyre, pikërisht këtu paraqitet problemi kryesor në mungesën e mjeteve për funksionimin e shkollave. (koha.mk)