Deri më 31 gusht komunat do të kenë kohë të përgatisin projekte cilësore me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës të banorëve. Me shfrytëzimin efikas të këtyre mjeteve do të zgjidhen problemet e infrastrukturës komunale dhe rrugore në mjediset rurale
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 korrik – Ngjashëm me vitet e kaluara, sërish është publikuar thirrja për zhvillim rural, një mundësi kjo për komunat që të aplikojnë dhe fitojnë mjete evropiane për ndërtimin e infrastrukturës. Komunat do të kenë kohë deri më 31 gusht të përgatisin projekte cilësore me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës të banorëve, duke filluar nga ndërtimi i rrugëve e deri tek rikonstruimi i rrjetit të kanalizimit dhe rrugëve lokale , tregjet e kafshëve, rregullimi i vendeve për shëtitje, etj.
Ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski u bëri thirrje kryetarëve të komunave të përgatisin projekte cilësore me qëllim që maksimalisht të shfrytëzojnë këto mjete. Sipas tij, priten projekte sidomos për investimet kapitale, andaj edhe është zgjatur afati i paraqitjes që do të zgjasë ndy muaj në vend se një muaj.
“Me shfrytëzimin efikas të këtyre mjeteve do të zgjidhen problemet e infrastrukturës komunale dhe rrugore në mjediset rurale. Qëllimi i jonë është të sigurojmë jetë të denjë për qytetarët në të gjitha komunat dhe tu mundësojmë të rinjve të mbesin dhe të punojnë në vendlindjen e tyre”, theksoi Nikollovski.
Nga ana tjetër, drejtori i Agjencisë pagesore, Nikollçe Babovski, bëri të ditur se për këto tre masa të zhvillimit rural, krahas komunave mund të konkurrojnë edhe tetë rajonet planifikuese , ndërsa për masën e tretë mund të aplikojnë edhe ndërmarrja publike”Pyjet e Maqedonisë, si dhe Agjencia për përkrahje dhe zhvillim të turizmit.
“Me nga 20 milionë denarë do të mbështetet çdo projekt për y masat e para si përmirësimi i kushteve të jetesës si dh e rindërtimi dhe zhvillimi i fshatit , ndërsa me nga 15 milion denarë do të mbështeten projektet e masës së tretë, për ruajtjen e vlerave tradicionale që nënkupton lidhje infrastrukturore , gjelbërim të hapësirave , përgatitja e planeve urbanistike”, thotë drejtori Babovski.
Sipas tij, kërkesat për çdo masë veç e veç duhet të dorëzohen në kopje origjinale,ndërsa një shfrytëzues mund të parashtrojë më së shumti tre kërkesa individuale për masa të ndryshme , duke marrë parasysh të gjitha masat nga Programi për përkrahje financiare të zhvillimit rural për vitin 2018. Aplikuesit që kanë plotësuar kushtet e shfrytëzimit të mjeteve për masat 321, 322 dhe 323, do të renditen sipas Rregullores për kritere më të afërta për zgjedhje të shfrytëzuesve të masave për zhvillim rural. Gjithashtu, aplikuesit me numër të njëjtë të pikëve do të renditen sipas datës dhe kohës të parashtrimit të aplikimeve. Njëherësh, aplikuesit nuk guxojnë të fillojnë me realizimin e investimeve para se të nënshkruajnë kontratat për bashkëfinancim, thonë nga Agjencia për përkrahje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural. (koha.mk)