Gjuha e urrejtjes ende përdoret për qëllime të caktuara politike, vlerësojnë komunikologët. Nga ana tjetër vetëm gjatë këtij viti janë regjistruar 123 incidente nga urrejtja. Numra këto që flasin për rritje të dyfishtë të veprave kriminale të kryera në bazë të urrejtjes krahasuar me vitin e kaluar, kur kanë qenë të regjistruara vetëm se 70 raste
Destan JONUZI
Shkup, 24 korrik – Në Maqedoninë e Veriut ende përdoret gjuha e urrejtjes për qëllime të caktuara politike. Problemi është në zonën gri, ku gjuha e urrejtjes nuk mund të njihet dhe përcaktohet saktësisht, por dhe për shkak të faktit se nuk ka përkufizim të saktë shoqëror se çfarë është gjuhë e urrejtjes, alarmojnë komunikologët. “Nuk mund të them se situata është e ‘bardh’ apo e ‘zezë’. Raste të përdorimit të gjuhës së urrejtjes edhe atë saktësisht për qëllime të caktuara politike ekzistojnë, por në kuptim individual. As autoritetet i dinë, por nuk shoh që edhe ato që ekzistojnë i zgjidhin apo sanksionojnë. I gjithë problemi qëndron të zona gri, ku gjuha e urrejtjes nuk mund të njihet dhe të precizohet saktë, para se gjithash për shkak se në shoqërinë tonë nuk ekziston një definicion i caktuar se çfarë është gjuha e urrejtjes”, deklaroi për gazetën KOHA, komunikologia Iskra Koroveshovska. Sipas saj, përveç problemit të njohjes, është edhe problemi tjetër i ekspansionit, gjegjësisht përhapjes së gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale – gjë kjo e cila është shumë vështirë të parandalohet. “Problemi është se hapësira on-lajn (internetin) në Maqedoni, nuk ka ndonjë kornizë të caktuar normative. Nuk ekziston bazë ligjore për ndjekjen dhe sanksionimit të publikimit të përmbajtjeve me gjuhë urrejtje, lajmeve të rreme apo çfarëdo qoftë tjetër. Kjo nënkupton se nuk ekziston rregullim ligjor të gjuhës së urrejtjes si fenomen”, thekson Koroveshovska.Ndërkohë në aktet normative të Maqedonisë gjuha e urrejtjes është rregulluar sipas nenit 417, 294-g,179 dhe 319 të Kodit penal, Ligjin për parandalimin dhe mbrojtje nga diskriminimi, si dhe me Ligjin për media audio dhe audio vizuale. Rolin kyç në këtë drejtim e ka Agjencia për media audio dhe audio vizuale, por edhe vetërregullimi. Por, edhe pse ekzistojnë këto norma dhe akte ligjore, mungon implementimi. Rasti i 27 prillit i cili përgjaki tempullin e demokracisë, Parlamentin dhe solli vendin buzë një konflikti civil, largimi i futbollistit nga restoranti vetëm se ka folur shqip me familjarët etj, janë disa nga rastet për të cilat edhe pse Prokuroria Publike, hapi hetim nuk u tha asnjë fjalë se të njëjtat janë produkt i urrejtjes. Këtë vlerësim e ka dhënë Komiteti Helsinkit për të drejtat e njeriut në vend në Raportin e së cilës janë regjistruar 123 incidente nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes. Këto numra flasin për rritje të dyfishtë të veprave kriminale nga urrejtja krahasuar me vitin e kaluar, kur kanë qenë të regjistruar vetëm se 70 vepra të tilla. Në të shumtën e rasteve viktima apo kryerës të veprave janë të rinj, shumica të mitur. Në 64 për qind të rasteve problemi është shkaktuar për shkak të përkatësisë etnike, ndërsa në 25.2 për qind për shkak të përkatësisë politike.