“Ai ka mbetur si i harruar, i njohur sipërfaqësisht. Ndoshta, për shkak se ai vetë pat preferuar më shumë të fshihej sesa të dukej” , theksoi mes tjerash, autori Isuf Kalo
Urim HASIPI
Tetovë, 26 shkurt – “Jam me fat që Enver Hoxha më ka cilësuar vetëm si mjek dhe asnjëherë nuk më ka bërë pjesë e kuadrit të tij politik”, ka thënë të mërkurën në Tetovë Isuf Kalo, autor i librit “Blloku”. Isuf Kalo ishte mjek personal i Enver Hoxhës dhe në libër tregon për jetën e tij brenda pallatit të presidentit shqiptar, Enver Hoxha. Autori i librit u shpreh edhe pse libri titulluhet “Blloku”. Më së paku flitet për të e më shumë për personazhet që ishin afër tij, siç ishin Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. “Rrëfimi im në këtë libër është fokusuar më shumë te dy protagonistë: Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha. Kjo e fundit, sepse pati marrëdhënie të ngushta pune dhe miqësi të gjatë, të sinqertë me të. Përse tek ata dhe jo te Enveri, të cilin e kam njohur nga afër, si mjek personal i tij, gjatë 12 viteve të fundit të jetës. Arsyeja është se dëshmitë në këtë libër shtrihen edhe më tej në kohën kur ai nuk ishte gjallë. Sidoqoftë, Enveri përmendet shpesh në këtë libër. Po ashtu, Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Beqir Balluku, Kadri Hazbiu etj, pasi edhe ata i kam takuar dhe kam biseduar me ta si mjek. Veç kësaj, për Enverin është folur e shkruar gjerësisht gjetkë. Ai ka shkruar vetë libra për jetën dhe veprimtaritë e tij. Kanë shkruar për të autorë shqiptarë dhe të huaj, si edhe Nexhmija, Ramizi apo të tjerë ish-bashkëpunëtorë të afërt. Ndërsa për Ramiz Alinë, përveç disa kujtimeve të përcipta të tij, fare pak është shkruar. Ai ka mbetur si i harruar, i njohur sipërfaqësisht. Ndoshta për shkak se ai vetë pat preferuar më shumë të fshihej sesa të dukej” , theksoi mes tjerash, autori Isuf Kalo.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, Kastriot Haxhirexha për librin në fjalë thekson se lexuesi gjen gërshetimin perfekt të mjekut të shkathët,të intelektualit elitar si dhe shkrimtarin elegant i cili përmes një narracioni të veçantë dhe një stili të përzgjedhur me kujdes arrin ta fusë lexuesin në kupolën e Bllokut, nëpër korridoret, kulisat dhe zyrat plot e përplot më mister dhe ku mund të hynte vetëm mjeku. “Natyrshëm sikurse ndodh edhe me çdo vepër tjetër, libri me tregime “Blloku”, dikujt edhe mund të mos i pëlqejë, por Prof. Kalo edhe vetë shprehet se çdonjëri mund të ndajë një mendje tjetër, sepse ky në fund të fundit është dhe kushti i demokracisë që e shpreh edhe Roza Luksemburg; pra pluralizmi i mendimit për atë që na ndodh, për atë që përjetojmë dhe për atë që ndajmë. Libri me rrëfime “Blloku” i Prof. Isuf Kalos është vlerësuar lartë nga mjekë të shquar shqiptar shumë nga ata edhe kolegë të Kalos, shumë intelektualë të shquar si Ismail Kadare, Fatos Tarifa, opinionistë apo edhe politikanë. Disa libra nuk janë shkruar vetëm për të na mësuar diçka, por edhe për të na treguar se autori ka qenë njeri i ditur”, deklaroi dekani i Fakulteti të Mjekësisë, Kastrioit Haxhirexha.
Isuf Kalo lindi në Tepelenë në vitin 1942. Kreu Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në 1964, u specializua në endokrinologji dhe diabetologji. Është ndër themeluesit dhe novatorët e këtij specialiteti në Shqipëri. Disa vjet ka drejtuar Katedrën dhe Shërbimin e Sëmundjeve Endokrine në Fakultetin e Mjekësisë dhe Spitalin Universitar të Tiranës. Është Doktor i Shkencave Mjekësore, Profesor dhe i laureuar me titullin: “Punonjës i Shquar i Shkencës Shqiptare”. Si dhe anëtar themelues i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës. Është mjeku i parë shqiptar në stafin permanent të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Kopenhagen si drejtues i programit evropian për diabetin dhe i departamentit të cilësisë të Sistemeve Shëndetësore në Evropë. Deri në vitin 1985 ai ishte mjeku personal i diktatorit komunist Enver Hoxha.