Besimi në sistemin shëndetësor thuajse totalisht është i humbur, pacientët dhe mjekët janë viktimë të shkatërrimit të shëndetësisë, ndërsa ligji për aktivitetin mjekësor qëndron vetëm në letër dhe më shumë se shtatë vite e ka zënë pluhuri në sirtarët e qeverisë. Gjithsesi, mjekët theksojnë se e kryejnë punën në mënyrë profesionale, përderisa pacientët për vdekjen e familjarit, fatkeqësinë e hedhin te mantelet e bardhë, të pa vetëdijshëm se vdekja mund të ndodh edhe në mënyrë natyrale
Delvina KËRLUKU
Shkup, 7 gusht – Pacientët janë të mbrojtur me ligj, ndërsa punëtorët shëndetësor nuk kanë një mundësi të tillë. Ata sulmohen në vende pune, kërcënohen, edhe rrihen. Në muajt e fundit disa incidente kanë ndodhur në klinikat e vendit, ku mjekët ishin viktimë. Në klinikën e Shkupit ku shumë pacientë janë të orientuar, një qytetar sulmoi mjekun për një shtatzëni të vonshme. Pastaj, një pacient i mbajti peng disa mjekë në Klinikën Hematologjike të Shkupit dhe kërcënoi se do t’i vriste me thikë. Kishte dy incidente edhe në Klinikën e Pulmonologjisë, kurse një psikiatër po në Shkup u rrah, shkruan gazeta KOHA.
Kërcënime ka pasur edhe në Spitalin klinik të Tetovës, ku personeli mjekësor shpesh është cak i sulmeve e ofendimeve. Me pistoletë në kokë, përfundoi drama para tre viteve në Klinikën e kirurgjisë digjestive në Shkup, ku pacienti i pakënaqur nga shërbimet shëndetësore shtiu ndaj kirurgut Lubomir Ognenoviq, duke e fajësuar për vdekjen e nënës së tij, e cila kishte vdekur disa orë më parë në klinikë. Ndaj mjekut u ushtrua intervenim mjekësor, ndërsa sulmuesit menjëherë morën 30 ditë burgim, ku dhe u ushtruan masa të tjera në vazhdim. Kjo ngjarje ngriti në këmbë shumë mjekë, të cilët të revoltuar kërkuan mbrojte.
Ajo që ka ndodh më parë nuk ka ndryshuar situatën e mjekëve, madje, sot, janë edhe më të pasigurt. Kjo si pasojë që gjatë viteve sistemi shëndetësor ka qenë i pa konsoliduar, kështu që mjekët dhe pacientët shpesh quheshin si “armiq”. Besimi në sistemin shëndetësor thuajse është totalisht i humbur, pacientët dhe mjekët janë viktimë të shkatërrimit të shëndetësisë, ndërsa ligji për aktivitetin mjekësor qëndron vetëm në letër dhe më shumë se shtatë vite e ka zënë pluhuri në sirtarët e qeverisë. Gjithsesi, mjekët theksojnë se e kryejnë punën në mënyrë profesionale, përderisa pacientët për vdekjen e familjarit, fatkeqësinë e hedhin te mantelet e bardhë, të pa vetëdijshëm se vdekja mund të ndodh edhe në mënyrë natyrale.
Doktor Sedat Limani me përvojë të gjatë në shëndetësi thotë për gazetën “Koha”, se profesioni i mjekut ka qenë një ndër profesionet më të shenjta, sot është më i pavlefshëm ose më pak i respektuar nga pacientët. Mjekët janë të kërcënuar nga pacientët , por edhe nga ligjet që nuk gjejnë rrugën për t’u rregulluar me vite.
“Për fat të keq shumica e pacientëve vijnë me paragjykim se kanë një sëmundje që e diagnostifikojnë vetë dhe duhet të marrim ilaçin që ata mendojnë. Nëse nuk i koordinohen pacientit rekomandimet e mjekut me atë që ka lexuar në internet menjëherë çon zërin ose edhe ka kërcënime. Kërkojnë shërbime që janë të mundshme, por edhe janë të pa mundshme nga ana e mjekut. Nuk ka mbrojte morale njëherë aq më shumë mbrojtje nga dhuna fizike. Ligji nuk na mbron. Doli vetëm ligji për të drejtat e pacientëve, ku edhe ka mbi 7 vite në fuqi, mirëpo ligji për mjekët akoma është në përpilim e sipër. Kështu nuk kemi ndonjë mbrojte nga doktrinat”, nënvizon për KOHA, dr.Sedat Limani.
Ai është i mendimit se profesioni i mjekut mbetet akoma i përbuzur në vendin tonë, nuk është një profesion që vlerësohet si dikur dhe as fjala e mjekut nuk merret parasysh. Prandaj, ai apelon se duhen ndryshime si nga aspekti i ngritjes kulturore të përgjithshme , po ashtu edhe respektimi i mjekëve në detyre, si dhe ligj në dispozicion.
Kryetarja e Odës së Mjekëve, Kalian Grivçeva- Stardellova, e cila është e njohur mbi incidentet në institucionet shëndetësore thotë se të gjitha rastet që kanë ndodhur janë një histori në vete.
“Në Odën e Mjekëve në Maqedoni nga ana e mjekëve ka një numër të madh të raportesh me shkrim ku informojnë se në vendin e tyre të punës është ushtruar dhunë, janë sulmuar verbalisht dhe fizikisht nga ana e pacientëve ose familjarëve të tyre. Të dhëna precize, për fat të keq nuk ka”, thotë dr. Srtardellova.
Dhuna e paraqitur në institucionet shëndetësore mbetet një problem aktual edhe në vendet e tjera. Nga ai aspekt, në shtator të vitit 2017 është nënshkruar deklarata “stop dhunës në shëndetësi”, e ratifikuar edhe nga anëtaret e ZEVA në të cilën janë të anëtarësuara odat nga Evropa Qendrore dhe Lindore, ndërsa Oda e Mjekëve të Maqedonisë e nënshkroi në Kongresin në Lubjanë.
Në tekstin e Deklaratës thuhet se vetëm një mjedis i sigurt, në të cilën shtohen shërbimet shëndetësore garanton mbrojtje shëndetësore profesionale dhe cilësore për pacientët dhe se punonjësit shëndetësorë si dhe të gjithë tjerët kanë të drejtë në mjedis të sigurt pune. “Dhuna ndaj punonjësve shëndetësorë duhet të kuptohet seriozisht nga ana e drejtuesve të të gjitha institucioneve shëndetësore dhe me të njëjtën duhet në mënyrë efikase të përballemi me ndihmën e policisë dhe të sistemit juridik. Incidentet e dhunës duhet të jenë të dokumentuara përmes sistemit, në të cilin do të sigurohet nga ana e Qeverisë dhe institucioneve shëndetësore”, thuhet në Deklaratë. (koha.mk)