Mjekët rezultojnë “baballarë” të dhjetëra foshnjeve në SHBA

Në SHBA janë zbuluar qindra raste të abuzimeve nga mjekët në teknikën e fekondimit artificial. Rezulton se babai biologjik i shumë prej këtyre fëmijëve, nuk është dhuruesi i zgjedhur nga nëna, por përkatësisht mjeku që ka ndjekur dhe realizuar procedurën.

Mjaft raste të tjera të ngjashme kanë dalë në dritë si pasojë e përhapjes së testeve të ADN edhe në kushte shtëpie. Sipas New York Times, për këtë çështje kanë nisur hetimet dhe po kryhen kontrolle dhe verifikim i të dhënave mbi fëmijët e viteve ’80 të lindur me këtë teknikë. Deri tani rezulton se një specialist ka përdorur spermatozoidët e tij në të paktën 56 raste të fekondimit, ndërsa një mjek në Ontario është baba biologjik i 11 fëmijëve pa dijeninë e nënave, të cilat kishin bërë natyrisht zgjedhje të tjera duke u bazuar në katalogjet e bankës së të dhënave.

Ndërsa një rast i tretë është verifikuar në shtetin Indiana, ku specialist përkatës është bërë baba i 61 fëmijëve. Për këto arsye, të gjithë janë përjashtuar nga Urdhri i Mjekut, por shtetet amerikane po ndryshojnë legjislacionin për  parandalimin e rasteve të tilla dhe dënimin e kësaj praktike, që do të cilësohet njësoj si dhunim seksual.