Një burrë, i cili prej vitesh jetonte me hundën e deformuar dhe që trajtohej si “klloun” nga të tjerët, i është nënshtruar më në fund operacionit për heqjen e kësaj mase të tepërt. 52-vjeçari Tibor, nga Sllovakia kishte një hundë kaq të madhe, sa i kishte mbuluar thuajse gjysmën e fytyrës. Por frika që kishte nga operacioni, e mbajti atë larg për ta hequr këtë masë.
Ai vuante nga një sëmundje e njohur si rhinophyma. Pas këmbënguljes së familjes së tij, babai i tre fëmijëve u bind që të kryente operacionin. Mjekët i ndërtuan atij një hundë të re, duke i rikthyer kështu burrit mundësinë për të patur një jetë normale. Kjo gjendje kishte rënduar prej vitesh në vetëvlerësimin e 52-vjeçarit, i cili rrëfen se kur ecte në rrugë, njerëzit e shihnin si të ishte kloun. Tibor u operua në një spital në qytetin Martin të Sllovakisë.
Fatmirësisht ndërhyrja shkoi shumë mirë dhe hunda e tij tashmë duket normale. Ndryshe, rhinophyma është një gjendje ku hunda enjtet, skuqet e bëhet me gunga. Ndodh kur indet dhe gjëndrat dhjamore të lëkurës zmadhohen më shumë seç duhet. Ajo zhvillohet zakonisht tek njerëzit që kanë vuajtur prej vitesh nga zmadhimi i disa enëve të gjakut në fytyrë. Për rhinophyma nuk ka ilaç dhe shpesh e vetmja zgjidhje është operacioni.