Laura PAPRANIKU
Shkup, 11 tetor – Në kuadër të reformave të paralajmëruara në sistemin arsimor, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të rregullojë edhe shpërndarjen e drejtimeve profesionale të shkollave të mesme, me theks të veçantë të drejtimeve mjekësore, shkruan gazeta KOHA. Në një pjesë të madhe të qyteteve si Kumanova, Gostivari, Struga apo Kërçova – paralelet e mjekësisë formohen nëpër shkolla jomjekësore, Raste të këtilla ka edhe në Shkup, ku që për mungesë të hapësirave në shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov”, të formohen 12 paralele (sa edhe në gjuhën maqedonase) shumë paralele në gjuhën shqipe formohen në ish-shkollën e mesme tregtare “Cvetan Dimov” si dhe në shkollën e mesme të kimisë “Maria Kiri Skllodovksa”.
Që cilësia e shkollimit nuk është e njëjtë si në shkollat mjekësore ashtu edhe në shkollat jo mjekësore, nuk ka nevojë për analizë shumë të thellë, pasi këtyre të fundit u mungojnë laboratorët dhe gjenden larg klinikave. Por pavarësisht kësaj, interesimi i nxënësve për të vijuar arsimin e mesëm shëndetësor është shumë i madh edhe në shkollat jo mjekësore. Në Kumanovë, për shembull, për 102 vendet e paraleleve në gjuhën shqipe – ishin 154 kandidatë me mbi 65 pikë. Për shkak të numrit të kufizuar të paraleleve, na mbetën jashtë listave të pranimit shumë nxënës, gati dy paralele, pohon për KOHA Nexhbedin Saliu, përgjegjës i paraleleve shqipe të teknikës dhe mjekësisë ën Kumanovë. “I fundit në listën e nxënësve të pranuar për paralelet e infermierisë është me 71.80 pikë”, tregon ai, ndërsa vëren se edhe numri maksimal prej 34 nxënës në klasë është ngarkesë e madhe. Sipas tij, paralelet e këtilla duhet të shkojnë në histori dhe për këtë MASH duhet të nis zbatimin sa më të shpejtë të paralajmërimeve për formimin e paraleleve me maksimumi 24 nxënës në klasë. “Mësimi me grupe të vogla jo vetëm që e bën orën e mësimit më efektive, por e rrit cilësinë e mësimdhënies dhe të mësimnxënies”, shprehet më tej ai, ndërsa konsideron se janë të nevojshme edhe disa ndryshime në mënyrën e organizimit të paraleleve mjekësore dhe profileve të tyre. Për vitin shkollor 2017/2018, Saliu thotë se ishte kërkuar të ndryshohen profilet e drejtimeve mjekësore, me atë që në Kumanovë të mos hapen vetëm drejtime të infermierisë (motër medicinale), por të shkohet në kombinime varësisht nevojave të tregut. “Pra, jemi të mendimit se drejtimet e mjekësisë duhet të kombinohen, të kemi nga një paralele motër medicinave, laborantë dhe teknik dhëmbësh”. Mirëpo, për këtë thotë se nuk morën një përgjigje pozitive nga MASH. Për pasojë, të gjitha paralelet u formuan në drejtimin motër medicinale. Këto paralele në Kumanovë formohen në kuadër të shkollës së mesme të teknikës “Nace Bugjoni”, prej të cilave 3 në gjuhën shqipe dhe 2 në gjuhën maqedonase. Por, paralelet në gjuhën shqipe, si të mjekësisë ashtu edhe të teknikës, funksionojnë jashtë objekteve të shkollave amë që nga viti 2002. Tradicionalisht, në shkollat e mesme profesionale – numri i nxënësve shqiptarë është më i madh se sa numri i nxënësve maqedonas, por pavarësisht kësaj – të gjitha shkollat drejtohen nga maqedonasit dhe në të gjitha rastet – paralelet më mësim në gjuhën maqedonase gjenden në objektet e shkollave amë. Problemi qëndron në atë se është jashtëzakonisht i thellë dallimi në kushtet e punës dhe hapësirave që ofrojnë shkollat amë ku gjenden paralelet maqedonase, nga njëra anë dhe objektet e përkohshme ku janë vendosur paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Në rrethana të këtilla, nuk mund të besohet as në idenë për shkëputjen e paraleleve të mjekësisë në një subjekt të veçantë juridik në Kumanovë edhe pse me gjithsej 20 paralele (12 në gjuhën shqipe dhe 8 në gjuhën maqedonase) do të funksiononte për mrekulli një shkollë e mesme e mjekësisë edhe në këtë qytet.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.