Ali Ahmeti e ka në dorë “gurin dhe arrën” që të parandalojë disiplinimin e shqiptarëve nga ana e subjekteve politike maqedonase, të cilat, me përpjekje të përbashkëta e të koordinuara, po punojnë me të madhe që ta “kidnapojnë” përfaqësimin politik të shqiptarëve përmes individëve lakmiçarë, duke përgatitur skenarë të ndryshëm në dobësimin e rolit të partive shqiptare në kauzat e tyre politikbërëse
Nga Emin AZEMI
Të enjten në Parlament, në kuadër të seancës së paraparë për pyetje deputetësh, pati një përplasje midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së mbi “kujdestarinë parashkollore” ndaj shqiptarëve.
“Zotëri Zaev, Likova po shpërngulet, gjithashtu edhe Kumanova. Në Haraçinë fituat 3000 vota, por nesër të ketë zgjedhje, për shkak të fiaskos nga kryetarja e juaj në atë komunë, Milikije Halimi nuk do të arrini t’i merrni as 1000 vota. Në Haraçinë nuk ka siguri, shiheni telegramin e sigurisë që i referohet asaj komune por edhe në Çair, Tetovë, Likovë, Kërçovë etj”- shprehej gjoja i brengosur Vllatko Gjorçev, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Por, kjo akuzë nuk mbeti pa përgjigje nga vetë kryeministri Zaev.
“Shqiptarët janë të kënaqur nga kjo Qeveri. E duan vendin e tyre sepse ky vend kujdeset më shumë se sa në të kaluarën ndaj tyre si qytetar të barabartë të këtij vendi”, lavdërohej i ekzaltuar Zaevi gojëmbël.
Sikundër po shihet, sporti më i preferuar i politikanëve maqedonas kohët e fundit po bëhet brengosja për pozitën e “mjerueshme” të shqiptarëve, ndërkohë që munguan analizat e detajuara mbi shkaqet që shtynë një numër të konsiderueshëm të votuesve shqiptarë të preferojnë LSDM-në si adresë ku mund të zgjidheshin problemet e tyre. Kjo analizë, parasegjithash, mungoi në Bashkimin Demokratik për Integrim. Eksponentë të kësaj partie, në paraqitjet e tyre publike, janë munduar të sqarojnë domethënien e këtij problemi, por reflektimi brendapartiak mbeti pa e prekur thelbin e tij.
Ashtu siç po vejnë punët, sa më e vonuar të jetë kjo analizë, aq më dinamike do të jenë përpjekjet maqedonase për të përfituar votues shqiptarë. Flitet se këto përpjekje tash më janë shndërruar në “detyrë shtëpie” për shumë emisarë mobilë të VMRO-DPMNE-së, të cilët po e kopjojnë LSDM-në vardisjet e tyre ndaj shqiptarëve.
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, edhe pse dispononte me të dhëna të shumta nga terreni se ndryshimet rrënjësore në këtë parti, do të ishin përgjigja më adekuate ndaj ikjes së votuesve drejt LSDM-së, ai, megjithatë, nuk e shfrytëzoi të drejtën që ia siguronte Kongresi i partisë, që të rifreskojë partinë me kuadro cilësor, që jo domosdoshërisht duhet të jenë militant partiakë. Në të kaluarën, madje, pati edhe shembuj pozitivë të angazhimit nëpër pozita të rëndësishme drejtuese të personave me profil të lartë etik e profesional, përkatësia partiake e të cilëve kishte qenë kriteri i fundit që ishte marrë parasysh nga vetë Ali Ahmeti.
Se në BDI ka plotë kuadro që meritojnë të jenë të respektuar në pikëpamje të profesionalizmit të tyre, flasin edhe shumë shembuj pozitivë në sektorë të ndryshme të administratës, mirëpo një pjesë e madhe e tyre kanë mbetur nën hijen e “brrylaxhinjëve”partiakë, të cilët për çdo ditë i bëjnë lajka kryetarit Ahmeti, ndërkohë që ky i fundit po bie nën ndikimin e lojalitetit fals që plotë funksionarë e aktivistë e shesin gjoja si aftësi profesionale. Meqë kjo kategori kuadrosh asnjëherë nuk është ballafaquar me konkurrencën e mirëfilltë brendapartiake, ku do të diferencoheshin puthadorët interesxhinjë nga ata që ende kanë ideale profesionale e kombëtare, i bie që edhe ato punë të mira që i bëjnë njerëzit e vyer të BDI-së të humbasin shkëlqimin nga kjo mjegullnajë lojalitetsh false që shpërndahet mbi kokën e thinjur të liderit të urtë, Ali Ahmeti.
Shqiptarët në Maqedoni patën mirëkuptim gati plebishitar, atëherë kur BDI-së ia dhuruan një mandat teksa i shpëtuan (lexo: votuan) disa nga eksponentët e saj nga “gilotina” e Hagës.
Po tani, çfarë detyrimi moral kanë shqiptarët ta shpëtojnë edhe një herë BDI-në nga moskonsolidimi i saj i brendshëm, duke ua vazhduar statusin e të paprekshmëve të gjithë brrylaxhinëve, zhvatësve, karrieristëve që luftojnë konkurrencën dhe të akomoduarve të tendereve e dallavereve, të cilët mendojnë se prezenca e tyre në parti është njëfarë nderi që i bëhet kryetarit Ahmeti, të cilët, madje, po ia zbukuruakan tavolinën sa herë që ulen me të dhe e gënjejnë se po bëjnë punë të mëdha për partinë.
Është koha e fundit që Ali Ahmeti të mos ulet me tipat e tillë në një tavolinë. Tavolina e Ali Ahmetit është ajo që i bashkon shqiptarët e Maqedonisë në një synim madhor për të ofruar njerëz me vlera që do të refuzonin murtajën e ofertave maqedonase. Ali Ahmeti e ka në dorë “gurin dhe arrën” që të parandalojë disiplinimin e shqiptarëve nga ana e subjekteve politike maqedonase, të cilat, me përpjekje të përbashkëta e të koordinuara, po punojnë me të madhe që ta “kidnapojnë” përfaqësimin politik të shqiptarëve përmes individëve lakmiçarë, duke përgatitur skenarë të ndryshëm në dobësimin e kauzave politikëbërëse të partive shqiptare.
Por, kjo nuk mund të arrihet nëse në BDI zoti Ahmeti nuk sjell prurje të reja, me frymë e qasje tjetër, me biografi të kulluar familjare e profesionale, që do të ishin “pesticide” të forta për shumë “morra” , “insekte” e “rriqra” që kanë kapluar këtë parti.
Në të kundërtën, të gjithë le të bëhemi gati “të emigrojmë” në xhunglën politike maqedonase, me shanse minimale për të shpëtuar nga “kanibalizmi” lsdm-mvro-ist, që kohët e fundit po përkthehet si “asimilim politik”.
A do ta tolerojë këtë Ali Ahmeti? (koha.mk)