Rrjetet sociale pikojnë lot duke qarë fatin e Barcelonës së madhe kundrejt Romës së vogël që shumë futbolldashës as nuk e dinë se kush janë lojtarët kryesorë të saj! Si Davidi që ia gjen pikën e dobët Goliatit, ose vëllai i Hektorit për të marrë hak, e godet gjysmëperëndinë Akilin në thembër, në të vetmen pikë të dobët. Pra, nuk ka të madh, pa ndonjë pikë të dobët, vetëmve nevojitet një strategji dhe motivacion që do të ngrejë moralin e skuadrës mbi mundësitë e tyre reale…
Nga Daut DAUTI
Ishte “një javë e çmendur”! Javë e çmendur sportive, ndonëse deri diku ka qene edhe një javë traumatike politike. Më shumë në fqinjësi, se në Maqedoni.
Në Maqedoni, ndodhën gjëra që mëtuan ta turbullojnë sadopak ujin, për çka u përkujdes opozita. Lideri i ri i VMRO-DPMNE-së bëri “lëvizjen” e madhe në shahun politik, me epilogun e pritur të pat pozicionit. Ai, Mickovski, i cili vështirë e ka të ikë nga hija e mentorit të tij, pas bojkotit disa mujor, me t’u kthyer në parlament, u përpoq ta dridhë qeverinë! Ndoshta dikush ka besuar vërtet me fjalë të mëdha, të dëgjuara e stërpërsëritura, do ta rrëzojë. Ata të tjerët, që i bëjnë këto skenare politike nëpër PR-agjencitë, e dinë fare mirë lojën teatrore. E loja është të thuhen gjërat si të ishin para publikut teatror për të marrë ndonjë duartrokitje për performancë dhe të vazhdojnë tutje, me një përshtypje artistike, por në të vërtetë, të pajtuar me fatin e një degradimi e strukje në strofullën e tyre të qyqes. Se gjërat tash kanë marrë kahe tjetër nga duhet të shpëtohet çka mund të shpëtohet, se kur merr teposhtë, nuk di ku ndalesh. Nëse për një shfaqje plot teatralitet si ky mocioni për qeverinë “më të keqe deritash”(K.Mickovski)s’ke çka të shkruash më shumë veç se të konstatosh se e kemi kuptuar lojën, për ato gjërat tjera, për të cilat duhet shkruar, ende s’ka çka të thuhet konkretisht.
Me Greqinë jemi “kurrë më afër dhe ende larg” edhe pse rundi i radhës i takimeve të ministrave të jashtëm të të dy vendeve në Ohër(të enjten), pas asaj letre të Metju Nimicit palëve të ankoruara në pozicione të palëvizshme, duhej diçka t’i lëvizte gjerat nga vendi, sepse s’është mirë as për autoritetin e ndërmjetësuesit të durueshëm dhe të stërpaguar nga OKB për t’i mbajtur në statuskuo rreth dy dekada e gjysmë. Diçka po ndodhë, ose më e madhja presim të ndodhë. Të paktën që atë emrin marroq pa përkthim dhe të pa ndarë GORNAMAKEDONIJA, ta heqin nga rendi i ditës si i palogjikshëm dhe i papranueshëm për “palën e tretë”, atë që deri tash nuk ka bërë problem, sepse pas SllavoMaqedonisë, emri sllav pa përkthim, është edhe më i papranueshëm për shqiptarët. Një element plus është Memorandumi i grupit të intelektualëve shqiptarë i cili sigurisht mund t’i japë shtysë subjektit shqiptar që të mos qëndrojë parimisht pasiv për shkak të ndjeshmërisë identitare, të paktën të mos shkojë zgjidhja e kontestit nëpërmjet një emri të shtetit që do të ishte i papranueshëm për shqiptarët. Ndërkaq, nuk jam shumë i bindur se atributi gjeografik është i vetidentifikueshëm vetëm me maqedonasit, duke ditur historinë e vetë emrit Maqedoni, për të cilin historianët shqiptarë pajtohen se është më afër shqiptarëve se maqedonasve, prandaj nuk shoh ndonjë dramë që përcaktimi gjeografik, mund t’i përjashtojë shqiptarët nga identifikimi me të.
Në fillim është Zaevi edhe për çështjen e rikonstruimit të qeverisë, se ende nuk e ka të qartë cila Besë do të hyjë në qeveri, në të vërtetë, për ta pritur të kullohet uji cila është Besë e cila është Besa-Besë(nëse ma merr këtë emër ndonjë prej dy fraksioneve, do të kërkoj të drejtë autorësie për çka dëshmi e “patentimit” do të jetë ky shkrim!), se për Selën, tashmë dihet, vlen ajo popullorja “njër herë kalon miu nëpër mustaqe”(edhe pse në politikë asnjëherë nuk ka “kurrë më…”), ndërkaq për Thaçin, nuk e dimë ç’ndodh në prapaskenë, nëse më shumë seç ofron pozita e një subjekti të defaktorizuar, ndonëse Zaevit, të gjithë i duhen vetëm si numra…
Nga skena politike shqiptare përtej kufijve, mund të thuhet se mjegullnajat vazhdojnë, duke mos ditur kur subjektet bëjnë diçka për shkak të interesit kombëtar që ata e marrin “në mbrojtje” me gojën plot patos, e kur gjithë këtë e bëjnë për interes politik të kalkuluar matematikisht. Por, gjithsesi, edhe ne që e shikojmë këtë prej anësh, nuk e kemi gjithnjë të lehtë për ta identifikuar se kur është e para, e kur është e dyta. Si në rastin e “taksës së Edi Ramës” në Rrugën e Kombit, ku debati u shtri nga Kukësi e gjer te ne me Pro e Contra qëndrime, gjithnjë me kombin si argument. Opozita e Shqipërisë diti ta shfrytëzojë ose manipulojë revoltën e një pjese të banorëve të Kukësit pasi pothuajse si fluska sapuni u shfrynë argumentet se nuk duhet taksë rrugore për një autostradë normale si në gjithë Evropën. Dhe aty arritëm gjer në rebelimin që e thërriste Lul Basha por që me një dimension më të përparuar ose më inventiv se Vetëvendosja, e futi në Parlament. Gjersa Vetëvendosja në parlamentin e Kosovës vazhdimisht përdorte gaz lotsjellës, deputetët e PD-së këtë e bënë për taksën e Rrugës së Kombit me vezë(asgjë e re nga praktika, edhe bashkuesin e dy Gjermanive, Helmut Kollin e kishin gjuajtur me vezë), por dhe me një risi, që sigurisht edhe në botë do ta kopjojnë, duke hedhur miell ndaj kryeministrit Rama dhe ministrit të jashtëm, Bushati. Mielli zaten mund të ketë edhe ndonjëfarë simbolike, sepse ka vite që në Shqipëri gjithë politika është e mbarsur me temën e trafikut të drogës, që te ne shpesh i themi “miell i bardhë”, ndonëse kanabisi është bimë që pihet si duhan nga “konsumentët”. Por, simbolika është aty.
Këtë kapitull të shkrimit, dua ta përfundoj me Kosovën, ku para dhjetë ditësh u trondit nga ekstradimi i gulenistëve, ish-partnerëve të koalicionit të Erdoganit dhe ajo që në këtë rast e bën të koklavitur, ku përzihen e drejta ndërkombëtare, procedurat (shumëkush thotë të shkelura) për rastet e këtilla e gjer, janë ndasitë dhe tifozllëku nga një numër jo i paktë shqiptarëve pro Haradinajt ose pro Erdoganit, një nonsens vetëdijësor për të na brengosur.
E lashë pra, me kaq, lexues të nderuar, ndoshta dhe e teprova që t’i përfshij në mënyrë telegrafike disa ngjarje(pasi nuk pata rast të shkruaj javën e kaluar për shkak se nuk doli numri i të shtunës) por preferoj të merrem me gjëra më të bukura, siç është sporti. E sporti këtë javë na ofroi më shumë përjetime se çdo teatër politik, sepse na ofroi “tragjedinë” e të mëdhenjve nga të vegjlit. Rrjetet sociale pikojnë lot duke qarë fatin e Barcelonës së madhe(me dy futbollistët të super-klasit, si Mesi e Suarez) kundrejt Romës së vogël që shumë futbolldashës as nuk e dinë se kush janë lojtarët kryesorë të saj! E dërmoi dhe e turpëroi. Të njëjtin fat e përjetoi Mançester Siti, i cili me më shumë se gjysmë miliardi investoi me transfere lojtarësh dhe me trajnerin momentalisht më kreativ në botë, Pep Guardiolën, me titullin tashmë të siguruar në Angli, u gjunjëzua nga një Liverpul që është i katërti në Premierligë. Për pak edhe Juventusi do ta gjunjëzonte dhe pasi tashmë e kishte turpëruar me 3-0 Realin e Madridit mu në Madrid, por një gafë në mbrojtje dhe një vendim i diskutueshëm gjyqësor, vetëm disa sekonda para se të shkohej në vazhdime, nga privoi edhe nga një rënie e një titani. Shumë lot të tifozerive të tyre, sikur të ishte shembur toka! Futbolli ka një emër që ia kanë vënë kaherë “gjëja më e bukur e dorës së dytë”. Ajo ka bukurinë e vet në “teknikën” e lojës, në lëvizjen me top, në vendosjen e futbollistëve, në dribling dhe në shutimin e topit. Shumëkush thotë se futbolli dikur ka qenë më i bukur, se sot mund të ketë më shumë teknikë, taktikë ose strategji, e cila bukurinë e vet e ka të fshehur, në qëllimin e fundit, të fitosh. Po si gjithherë ka virtuoz të lojës që dallohen nga “orkestri” dhe ata janë ata që tërheqin publikun, që janë më të paguar, që tërheqin më shumë sponsorë e transmetime televizive për masovizim planetar. Por, atyre që qanin për eliminimin e dy ekipeve kryesore pretendonte, duhet t’u themi se pikërisht aty qëndron bukuria, se nuk do të ishte interesante nëse të mëdhenjtë fitojnë gjithnjë, sepse do të humbte kuptimi i garimit. Bukuria qëndron në shansin që një Salsburg të eliminojë një ekip të madh gjerman dhe një ekip të madh italian, ose një Vardar që luan në një ligë si kjo e jona me pak publik, të gjejë motivin dhe ta gjunjëzojë një Fenerbahçe të një lige e cila tashmë u është afruar atyre evropiane për nga investimet dhe për nga popullariteti masovik. Pra, mos i qani të mëdhenjtë, se madhështinë e tyre duhet ta tregojnë, e jo t’u dorëzohet dikush pa luftë. Sporti, sikundër edhe shumëçka tjetër, është një arenë e hapur dhe emocionet që na i ofroi futbolli këtë javë, bën që mos t’i përjashtojmë shanset e të vegjëlve. Si Davidi që ia gjen pikën e dobët Goliatit, ose vëllai i Hektorit për të marrë hak, e godet gjysmëperëndinë Akilin, në të vetmen pikë të dobët, thembër. Pra, nuk ka të madh, pa ndonjë pikë të dobët, vetëmve nevojitet një strategji dhe motivacion që do të ngrejë moralin e skuadrës mbi mundësitë e tyre reale…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)