Bazuar në rrogat të cilat janë në Maqedoninë e Veriut, një kavanoz mjaltë po konsiderohet luks, prandaj shpesh njerëzit zgjedhin atë produkt që që është më i lire por jo shumë cilësor
Remzije BILALLI
Shkup, 7 nëntor – Një kavanoz mjaltë po bëhet luks për qytetarët e Maqedonisë së Veriut për shkak të çmimit që e ka në treg. Lupço Stanovski, bletar dhe kryetar i Shoqatës ‘AgroFalanga’ nga Velesi, theksoi se po qarkullojnë mendime të ndryshme midis prodhuesve të mjaltit sa i përket çmimit. Ai shpjegoi se numri i prodhuesve të mjaltit është rritur dukshëm gjatë kohës së fundit në vend. Varësisht se në cilin vit dhe varësisht nga kushtet klimatike nga ku varet dhe rendimenti i mjaltës, është përcaktuar edhe çmimi i saj. Por për shumicën e qytetarëve çmimi prej 400 deri në 600 denarë për kavanoz mjalti është i shtrenjtë, sepse shumica e punëtorëve të cilët punojnë me pagë minimale këtë sasi të hollash duhet ta fitojnë gjatë tërë ditës. Për shkak të fuqisë së dobët blerëse, konsumatorët shpesh zgjedhin atë që është më e lirë dhe jo ajo që është më e mirë dhe e shëndetshme për ata.
Nga ana tjetër, bletarët nuk mund të punojnë për eksport për shkak të konkurrencës së lartë si dhe çmimeve të ulëta të blerjes në vendet fqinje. “Nëse kam shumë mjaltë unë nuk mund ta shes për tre vite, mjalti sigurisht mund të ruhet për vite të tëra, por ka kufijtë dhe kushtet e tij për mënyrën e mirëmbajtjes”, thotë Stanovski. Në panairet e organizuara në të gjithë Maqedoninë, mjalti ofrohet me një çmim prej 500 ose 600 denarë. Por, panairet janë vende ku produktet duhet të ofrohen me çmime më të ulëta.
Branko Tasevski nga Kumanova theksoi se nëse mjalta është vërtetë organike, duhet ta mbajë çmimin eqë dallon nga llojet e mjaltit tjetër. “Këtë vit në rajonin e Kumanovës kishte një rendiment të mirë të mjaltës, kemi mbledhur dy herë më shumë mjaltë krahasuar me vitin e kaluar. Nuk e dimë se si do të kalojmë, sepse furnizimi dhe kërkesa do të vendosin për çmimin e mjaltës në treg. Mjalti është produkt që nuk humbet, është ushqyes dhe shërues, por vetëm nëse bëhet fjalë për mjaltë të vërtetë” shtoi Tasevski. Vitin e kaluar bletarët do të mbajnë mend si të dobët, megjithëse nga rajoni në rajon, ka ndryshime në rendimentet e mjaltit. Mirëpo disa qytetarë theksuan se mjaltë blejnë shumë rrallë vetëm kur është e nevojshme për ta.
“Unë shumë rrallë blej mjaltë, herën e fundit bleva në Berovë para disa viteve, mirëpo të kemi mjaltë gjatë gjithë kohës në shtëpi nuk na mundëson buxheti të cilin e kemi” tha qytetarja Marija Jakimovska. Mjalti është zëvendësues i shkëlqyeshëm i sheqerit dhe mund të ndihmojë në uljen e të ashtuquajturës kolesterolit të keq, triglicerideve, inflamacioneve gjithashtu ul në mënyrë natyrale edhe shtypjen e gjakut. Kjo e mban zemrën në gjendje të mirë, ndihmon në arteriosklerozën dhe zvogëlon rrezikun e goditjes në tru si dhe shumë efekte tjera pozitive shëndetësore. (koha.mk)