Pa dashur që t’i vë në kontekst të padëshiruar, autorë të filmit “Honeyland” (Toka e mjalttë) janë: Ljubo Stefanov, Tamara Kotevska, Samir Luma, Femi Daut. Emrat e tyre reflektojnë Maqedoninë e Veriut sot, nga e cila frikë kanë vetë suprimacistët maqedonas. Filmi ka një shprehje fenomenale, ka të bëjë me marrëdhënien e njeriut me natyrën, ku Atixheja heroina e filmit thotë se mjalti duhet ndarë: “gjyma për ne, gjysma për ata (bletët)”, dhe kjo është esenca edhe në shoqërinë tonë
Nga Nazim RASHIDI
Akademikja Katica Qullafkova, në kontekst të një informacioni të caktuar rreth ndryshimit të ligjit për certifikata të lindjes, që saktëson se fëmijët e lindur në një spital, që është disi më në periferi, të konsiderohen se janë të lindur Shkup, citohet të ketë thënë: “…fshati Haraçinë është pjesë e Shkupit! Pse? Sepse pa të dhe fshatra të tjera me shumicë shqiptare, Shkupi nuk do të shqiptarizohej. Gjithashtu dhe Struga”. Imagjinoni kjo deklaratë të bëhej në SHBA apo diku në Evropë nga akademikë që konsiderohen të rëndësishëm të vendeve përkatëse dhe të tingëllonte kështu:
“… fshati Xxxxxxx është pjesë e Xxxxxxx! Pse? Sepse pa të dhe fshatrat e tjera me shumicë ZEZAKE, Xxxxxx nuk do të NXIHEJ. Gjithashtu dhe Xxxxxx”. (Kërkoj ndjesë pa fund që përdor këtë shembull dhe këtë fjalë, sepse në asnjë mënyrë nuk i përkas atyre që i mendojnë të tjerët me vlera më pak për shkak të dallimeve që mund të kenë)
Më duhej ta bëj këtë “përkthim” me elemente raciste për të kuptuar skandalizitetin e kësaj deklarate, e cila nga të gjitha standardet është raciste. Racizëm që vjen e buron nga njerëzit më elitarë të vendit. Nuk është se nuk është folur për këtë fenomen më parë, por disi habitesh, se sot jemi 2020, Maqedonia e Veriut ka kaluar një sërë procesesh, sociale dhe politike dhe mendon se të paktën elitat i kanë kuptuar realitetet e reja.
Por jo. Pikërisht aty është problemi. Maqedonia e Veriut, sidomos maqedonasit duhet të përballen me veten, me racizmin e tyre, të fshehur ose jo dhe të bien në paqe se ky vend, ky SHTET është i të gjithëve. (Dhe sigurisht që nuk mendoj se gjithë maqedonasit janë suprimacistë) I tmerrshëm është konstatimi ende se elita të caktuara, madje edhe politike ushqejnë suprimacinë maqedonase ndaj të tjerëve direkt ose indirekt, me dashje ose pa dashje, e kuptojnë ose jo. Në të gjitha rastet ky është racizëm i kulluar. Domethënë, të tjerët “shqiptarizojnë” pra sundojnë, dëmtojnë, okupojnë… ata që kanë të drejtë, që duhet dhe që u takon të jenë aty ku janë. (Po mund të ketë edhe racizëm nga shqiptarët, edhe ai duhet adresuar, por nuk ka pasur akademik shqiptar që flet me terminologji si Qullavkova)
Pra akademikja me një fjali shfaq dimensione të tëra dhe shtresa të tëra mospajtimi dhe mospranimi se të gjithë mund të jenë të barabartë. Imagjinoni, pra një fjali e thjeshtë e saj që sugjeron, ju të tjerët, zezakë, a shqiptarë, a ç’të jenë, duhet të rrini larg, në fshatra a ç’të doni, e të na lini ne vetë. Edhe pse kjo mund të jetë veç në letër, edhe pse kjo gjë s’ka asnjë lidhje me realitetin. Seriozisht, ku është akademizmi i këtyre njerëzve që nuk e kuptojnë se Haraçina apo dhe fshatrat e tjera janë ngjitur me Shkupin. Si t’ju shpjegojmë se nga qendra e Shkupit, e deri ne Haraçinë ka veç 11 kilometra. Zyrtarisht ose jo pjesë e Shkupit, njerëzit lëvizin, s’ka mure. Nuk do të ndërtohen asnjëherë mure. Por këta akademikë nga qendra nuk shohin me gjasë më larg se muret e godinave të “Shkupit 2014” që gjithashtu përforconte këtë sentiment, suprimacinë maqedonase.
Dhe pse kjo është raciste? Vini re këtë përshkrim: “Supremacia e bardhë, është një besim racist që njerëzit e bardhë janë superiorë ndaj të tjerëve dhe prandaj duhet t’i dominojnë ata. Suprimacia e bardhë ka rrënjë në doktrina tani të diskredituara të racizmit shkencor dhe shpesh mbështeten në argumente pseudoshkencore. Termi gjithashtu përdoret për të përshkruar një ideologji politike e cila dëshiron të mbajë dominancën sociale, politike, historike ose dhe institucionale të të bardhëve”. Kështu përshkruhet një nga bindjet raciste, “supremacia e bardhë”.
Por tani lexojeni edhe një herë përshkrimin më sipër dhe në vend të fjalës “e bardhë”, vendosni “maqedonas/e”. Arsyeja pse po e shkruaj këtë tekst, nuk ishte vetëm deklarata e Qullavkovës, ajo më doli si rastësisht përpara kur po lexoja gjithë komentet se a është në rregull ose jo filmi “Honeyland” të përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në botë. Ose si ka mundësi që imazhi i Maqedonisë së Veriut të jetë Atixheja, heroina e filmit. Që nënkupton një jo maqedonase që nuk flet maqedonisht, s’është e krishtere. Nëse lexoni komentet madje edhe nga elita kulturore e politike të maqedonasve, sugjerojnë se filmi do të turpërojë vendin, se realiteti nuk prezantohet për vendin siç duhet, e të tjera si këto.
Por në të gjitha këto komente e vlerësime shfaqet direkt ose jo, ajo suprimacia dhe dëshira për dominancë të cilën filmi e shkatërron. Edhe pse, që të jemi të qartë, filmi s’ka marrë përsipër as të përfaqësojë realitetin “e vërtetë” të Maqedonisë së Veriut dhe as të luftojë suprimacinë. Filmit merret me jetën e një njeriu, e cila flet univerzalisht, me gjithë varfërinë në të cilën jeton dhe me gjithë esencën e njerëzores dhe mirësisë që i buron. Ky është sekreti i suksesit. S’ka aty as mesazhe politike e as etnike.
Por pse e shkatërron filmi këto suprimaci të ndërtuar në kokat disa maqedonasve? Sepse edhe pse është një film i bërë këtu, personazhet flasim turqisht. Sepse heroina e ka emrin Atixhe, sepse filmi flet nga zemra e Maqedonisë së Veriut. Fshati i Atixhesë, Beqirli, nëse e sheh në hartë, është mu në zemër të shtetit Maqedonia e Veriut. Kurse suprimacistët thonë ajo s’është “Maqedoni”. Por kjo shkatërron çdo mit të maqedonizmës, asaj suprimaciste të ndërtuar në të kaluarën e cila po tentohet të përcillet në forma komunikimi direkt ose indirekt edhe nga elitat akademike, kulturore apo dhe politike. Fshati Beqirli, i lënë pas dore, ku në film thuhet se është folur dhe shqip, sot s’ka as rrugë, as energji elektrike, as banorë, përveç Atixhes dhe disa të tjerëve, e megjithatë arrin të shkatërrojë atë suprimaci e cila ju ka ardhur maqedonasve vetëm se kanë pasur aksese më shumë në institucione. Inteligjenca e një gruaje të varfër, të lënë nga shoqëria e shteti, në thellësitë e tokës dhe vetmisë, veç tregon se ajo nëse kishte mundësi do ishte si të gjithë ne, shqiptarë, maqedonas e të tjerë, dhe e cila do kishte sukseset dhe sfidat e saja në jetë. Veç nëse ishte pjesë e sistemit dhe institucioneve. Por kjo i tremb ata që se duan barazinë, se mburoja e fundit e kësaj suprimacie të fshehur ose jo këtu është. Institucionet, akademitë, buxhetet… Sa do të pabesueshme të jenë strucllëqet e akademikëve apo elitave, që nuk shohin 11 kilometra larg e ku më, më thellë, në zemër të Maqedonisë së Veriut, se kuptojnë se ka ikur koha e suprimacisë.
Por paralelisht duhet tu ikë edhe frika nga “shqiptarizmi” e gjithë “izmat” e të tjerëve që s’janë maqedonas. Frika më e madhe e maqedonasve ka qenë dhe mbase është humbja ose cenimi i identitetit maqedonas. Ky shtet duhet t’i mbrojë dhe kujdeset për ta. Pa diskutim. Madje këtë duhet ta bëjmë të gjithë. Për shembull, si gazetar shqiptar unë e përdor maqedonishten me dëshirë për të qenë shembull se gjuha është mjet komunikimi dhe se duhet parë si normalitet përdorimi i gjuhëve të njëri-tjetrit. Nuk e bëj këtë as për të “maqedonizuar” apo “shqiptarizuar” dikë. Por më tej ende, si shqiptar, që përdor maqedonishten, a nuk jam dëshmi e pastër e ekzistencës të këtij identiteti e gjuhe?
Ok, për të shkuar edhe një hap më pas. A do duhej shqiptarët të mirëkuptojnë ndjesitë e rreziqeve dhe frikave që kanë maqedonasit dhe si rrjedhojë të ndërtohen politika e sisteme, apo edhe institucione specifike, për t’i adresuar këto pikëpamje? Sigurisht që po. Por jo me argumentin e dominancës e suprimacisë. Por me argumentin e mirëkuptimit. E vërteta është se prezenca më e madhe jo maqedonase në jetën publike, institucione, shkencë, politikë etj. mund të ketë krijuar disbalance tek suprimacistët, por ama edhe realiteti godet fuqishëm. Se ja, pa dashur që t’i vë në kontekst të padëshiruar, autorë të filmit “Honeyland” (Toka e mjaltë) janë: LjuboStefanov, Tamara Kotevska, Samir Luma, Femi Daut. Emrat e tyre reflektojnë Maqedoninë e Veriut sot, nga e cila frikë kanë vetë suprimacistët maqedonas.
Filmi ka një shprehje fenomenale, ka të bëjë me marrëdhënien e njeriut me natyrën, ku Atixheja heroina e filmit thotë se mjalti duhet ndarë: “gjyma për ne, gjysma për ata (bletët)”, dhe kjo është esenca edhe në shoqërinë tonë. Dominanca, suprimacia do shuhet… sepse vendi është i të gjithëve, gjysma për “ju” e gjysma për “ne”, pa varësisht se sa “gjysma” ka, sepse gjysmat e bëjnë të tërën, e veç me mjaltë për të gjithë gjërat janë të plota.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)