Vetëm me dozën e parë, nivelet e antitrupave mesatarë të të mbijetuarve Covid-19 ishin më shumë se gjashtë herë më të larta se te njerëzit e painfektuar që përfunduan regjimin me dy doza
Për njerëzit që kanë nisur inokulimin e një vaksine Covid-19 me dy doza, mesazhi ka qenë i qartë nga autoritetet shëndetësore: “Merrni dozën e dytë nëse doni mbrojtje të plotë”. Por, sipas një testi të ri, mund të ketë një përjashtim nga ky rregull. Nëse tashmë jeni duke luftuar me një infeksion koronavirusi, edhe një dozë do të jetë e mjaftueshme. “Është përfolur për një kohë të gjatë, se njerëzve me sëmundje bashkëshoqëruese u duhet vetëm një dozë e vetme për të fituar imunitet me të vërtetë afatgjatë”, tha George Rutherford, epidemiolog i sëmundjeve infektive në UC San Francisco.
Të dyja vaksinat Pfizer-BioNTech dhe Moderna kërkojnë dy doza të inokuluara disa javë larg njëra-tjetrës. Doza e parë, në thelb, i paraprin sistemit imunitar për të njohur dhe sulmuar proteinën kulmore të virusit, ndërsa e dyta e shtyn sistemin imunitar të prodhojë një përmbysje të antitrupave. “Marrja e dozës së dytë është thelbësore, në mënyrë që të merrni mbrojtjen sa më të plotë të mundshme kundër virusit”, thonë ekspertët. Ekzistojnë disa përjashtime nga rregulli me dy doza, të tilla si të pasurit e një reaksioni alergjik të menjëhershëm ose të rëndë ndaj dozës së parë. Sidoqoftë, studiuesit gjithnjë e më shumë po zbulojnë se një infeksion SARS-CoV-2 mund të veprojë shumë si doza e parë e vaksinës.
Shkencëtarët në Seattle dhe Montreal ekzaminuan mostrat e gjakut nga njerëzit që ishin shëruar nga Covid-19 dhe nga të tjerë që nuk kishin pasur kurrë një infeksion koronavirusi. Mostrat u mblodhën si para, ashtu edhe pas imunizimit me vaksinën Pfizer ose Moderna. Studiuesit zbuluan se te të mbijetuarit nga Covid-19, një dozë e vetme e vaksinës rriti nivelet e antitrupave kundër disa varianteve të ndryshme të koronavirusit deri në një mijë herë dhe se një dozë e dytë në thelb nuk ofron asnjë përfitim shtesë. Ndërkohë, personat pa histori infektimi kishin nivele më të ulëta të antitrupave pas dy dozave të vaksinës sesa kishin të infektuarit më parë pas vetëm një doze. Këto zbulime u raportuan muajin e kaluar në revistën Science.
Në një studim tjetër të fundit, në New York, studiuesit analizuan mostrat e gjakut të 110 njerëzve. Disa prej tyre ishin infektuar me SARS-CoV-2 dhe disa të tjerë jo. U analizua se si ndryshonin nivelet e antitrupave të tyre, pasi morën vaksinën Pfizer ose Moderna. Ata zbuluan se, pas vetëm një doze, ata që ishin infektuar tashmë kishin nivele të antitrupave që ishin 10 deri në 45 herë më të larta se ata që nuk ishin të infektuar. Për më tepër, vetëm me dozën e parë, nivelet e antitrupave mesatarë të të mbijetuarve Covid-19 ishin më shumë se gjashtë herë më të larta se te njerëzit e painfektuar që përfunduan regjimin me dy doza, sipas raportit në New England Journal of Medicine.
Një version paraprak i atyre gjetjeve e nxiti Francis Collins, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit, të vëzhgonte se “rezultatet krijojnë mundësinë që një dozë të jetë e mjaftueshme për dikë që është infektuar me SARS-CoV-2 dhe antitrupa të gjeneruar tashmë kundër virusit”. Sidoqoftë, shtoi ai në një postim në blog, “duhen shumë më shumë rikërkime dhe pa dyshim nuk po sugjeroj një ndryshim në rekomandimet aktuale”. Shkencëtarët e Nju Jorkut gjithashtu zbuluan se njerëzit, të cilët ishin infektuar më parë, kishin më shumë simptoma pas dozës së tyre të parë në krahasim me moshatarët e tyre jo të infektuar. Ata gjithashtu kishin më shumë gjasa të raportonin efekte anësore të tjera më pak të zakonshme të vaksinës, duke përfshirë dhimbje koke, lodhje, ethe, të dridhura, dhimbje të muskujve dhe dhimbje të kyçeve. Autoriteti shëndetësor i Francës tashmë ka lëshuar një rekomandim që ata, që kishin një infeksion të konfirmuar SARS-CoV-2, të marrin vetëm një dozë vaksine, edhe nëse infeksioni i tyre nuk rezultoi në simptoma të COVID-19.
Sipas Collins, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave mund të ndjekë shembullin nëse provat vazhdojnë të ndërtohen. Një politikë e tillë mund të ndihmojë në zgjatjen e furnizimit me vaksinë dhe në imunizimin e më shumë njerëzve, shkroi ai. “Por, çdo shqyrtim serioz i këtij opsioni do të kërkojë më shumë të dhëna”, shtoi ai. “Gjithashtu do të varet nga këshilltarët ekspertë të FDA-së dhe Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) për të vendosur”. Dr. Amesh Adalja, një studiues i vjetër në Qendrën Johns Hopkins për Sigurinë Shëndetësore, tha se, ndërsa provat po rriten, CDC “është shumë e kujdesshme” dhe mund të jetë duke pritur për më shumë kërkime përpara se të mbështesë ndryshimin.